Në Bruksel diskutohet për përfitimet që mund të sjellë rregullimi i inteligjencës artificiale

Presidenti i korporatës teknologjike, Microsoft, Brad Smith, ka folur të enjten në Bruksel për përfitimet që mund të sjellë rregullimi i inteligjencës artificiale dhe se si mund të ndihmojë gjiganti i softuerit amerikan, raportoi Reuters.

Bashkë me pronarin e Twitterit dhe drejtorin ekzekutiv të Teslas, Elon Musk, Smithi ka kërkuar t’u drejtohet rregullatorëve dhe ligjvënësve me thirrje për rregullimin e AI, teknologji që ka tërhequr interesin masiv të publikut, veçanërisht për shkak të ChatGPT-së, i mbështetur nga Microsofti.

Bashkimi Evropian po përpunon detajet e rregullave të njohura si Akti i AI-së.

“Synimi ynë është të ofrojmë kontribute konstruktive për të ndihmuar në informimin e punës përpara”, ka thënë Smithi.

Ai tha se plani prej pesë pikash i Microsoft për qeverisjen e AI, i cili përfshin kornizat e sigurisë së AI të udhëhequra nga qeveria, frenat e sigurisë për sistemet e AI që kontrollojnë infrastrukturën kritike dhe sigurimin e aksesit akademik në AI përputhet me legjislacionin e propozuar të BE-së.

Smith gjithashtu i kërkoi BE-së, Shteteve të Bashkuara, vendeve të G7-s, Indisë dhe Indonezisë që të punojnë së bashku për qeverisjen e AI-së në përputhje me vlerat dhe parimet e tyre të përbashkëta./Koha.net