Në mes të protestave, KFOR-i luan me serbët pak ditë pasi iu plagosën 30 ushtarë

Ushtarët amerikanë të KFOR-it dhe qytetarë serbë kanë garuar të martën në “tërheqje me litar” në kuadër të “Lojërave të Punëtorëve”, manifestim tradicional i serbëve të Leposaviqit, shkruan “Kossev”.

Lojërat kishin nisur një ditë më parë, ndërsa të martën serbëve iu bashkuan edhe ushtarët që po kujdesen për objektin e Komunës, që kur kanë nisur protestat në fund të majit.

Sipas videos së publikuar, në këtë garë fituan serbët vendas.

Këto lojëra tradicionalisht luhen në Leposaviq për më shumë se 45 vjet, sipas mediave lokale.

Lojërat u zhvilluan në mes të protestave. Që nga 26 maji, serbët po qëndrojnë para objekteve të komunave në katër komunat në veri të vendit, duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale. Ka pasur edhe protesta të dhunshme. Si pasojë, 30 ushtarë të KFOR-it e policë të Kosovës kanë pësuar lëndime./Koha.net