Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock e përshkroi masakrën e Hamasit një vit më parë më 7 tetor si një pikë kthese në historinë e hebrenjve dhe atë gjermane. 7 tetori 2023 mbetet një pikë kthese për hebrenjtë, pas së cilës ka vetëm një “para” dhe “pas”, shkroi politikania e Gjelbër në një artikull të ftuar për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”.
“7 Tetori është gjithashtu një pikë kthese edhe për ne në Gjermani”, ka shkruar Baerbock, duke theksuar, se i vjen turp që prej atëherë hebrenjtë janë ndjerë më pak të sigurt në Gjermani dhe se sulmet antisemite janë shtuar – dhe raketat iraniane kundër shtetit të Izraelit festohen në rrugët gjermane. “Ne e kundërshtojmë këtë me fuqinë e plotë të ligjit”, theksoi Baerbock.
Duke iu drejtuar popullit të Izraelit, ajo tha: “Ne qëndrojmë në krahun tuaj. Siguria juaj është pjesë e kauzës sonë shtetërore. Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes. Kundër dhunës së Hamasit, si dhe kundër terrorit me raketa të Iranit dhe Hezbollahut”. Më 7 tetor 2023 organizata e Hamasit, që kategorizohet si terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera kreu një sulm të pashembullt në Izrael, ku u vranë më shumë së 1200 vetë dhe u morën më shumë se 250 pengje. Ky ishte shkas për luftën e Gazës, në të cilën rreth 42,000 palestinezë janë vrarë deri më tani, sipas autoritetit shëndetësor të kontrolluar nga Hamasi. /Top Channel/