Në Preshevë dhe Bujanoc mbahen trajnime për të drejtat e shkrimit të emrit në gjuhën shqipe

Organizata The Future ka organizuar trajnime dhe diskutime në Administratat komunale në Bujanoc dhe Preshevë, për të drejtën e shkruajes së emrit në gjuhën shqipe dhe sfidat e zbatimit të saj në praktikë.

Së bashku me përfaqësuesit e administratës, u shqyrtua kuadri ligjor që garanton të drejtën e çdo qytetari për të pasur emrin e tij të regjistruar në gjuhën amtare në të gjitha dokumentet zyrtare.

Kjo përfshin:
 Regjistrimin e emrit sipas gjuhës dhe alfabetit shqip
 Përdorimin e emrit në dokumente personale si letërnjoftimi, pasaporta dhe leja e drejtimit
 Respektimin e formës origjinale të emrit në të gjitha regjistrat dhe evidencat zyrtare
Edhe pse me ligj garantohet kjo e drejtë, në praktikë ende hasen pengesa, në sistemet elektronike që nuk lejojnë regjistrimin paralel të emrit në gjuhën shqipe, procedurat shtesë për të ruajtur formën origjinale të emrit dhe mungesës së informimit të qytetarëve mbi të drejtat e tyre.
Ky aktivitet realizohet nga Organizata “The Future” si pjesë e projektit “Fuqizimi i të rinjve shqiptarë dhe përmirësimi i integrimit në shoqërinë serbe”, i cili zbatohet nga Iniciativat Qytetare dhe financohet nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut përmes Fondit për Konflikt, Stabilitet dhe Siguri.