Një grup shoqatash fetare myslimane kanë paralajmëruar një protestë për të kundërshtuar takimin e nënkryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Taulant Bica, me Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, gjatë vizitës që ky i fundit zhvilloi në vendin tonë më 12 shtator.
“Në Palestinë po kryhet gjenocid. Nënkryetari i Komunitetit Mysliman dhe kryeministri i Shqipërisë presin dhe mbështesin presidentin e shtetit gjenocidal”, shkruhet në njoftimin e postuar në llogarinë në Facebook të shoqatës “Mexhlis”.
Protesta është njoftuar se do të zhvillohet të premten, më 20 shtator, në orën 16:30, në bulevardin “Xhorxh Bush”, në rrugën këmbësore midis Komunitetit Mysliman dhe Parlamentit të Shqipërisë.
“Ju bëjmë thirrje të merrni pjesë në një tubim për të dënuar gjenocidin, shtrëngimin e dorës me kryetarin e shtetit gjenocidal, si dhe në mbështetje të paqes dhe lirisë së popullit palestinez. Tubimi do të jetë konform ligjit dhe për të është bërë njoftimi i nevojshëm pranë organeve kompetente”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/