Nga Ukraina te Ballkani: Praga pret liderët për të diskutuar sfidat globale

Në Pragë u hap më 12 qershor Forumi GLOBSEC 2025 – një ndër platformat kryesore ku diskutohen sfidat globale të sigurisë dhe politikës. Ballkani Perëndimor është pjesë e agjendës, por Kosova nuk është e përfaqësuar në këtë ngjarje.

Përfaqësues të pothuajse shtatëdhjetë vendeve u mblodhën të enjten në kryeqytetin e Republikës Çeke për të marrë pjesë në edicionin e 20-të të Forumit GLOBSEC.

Për tri ditë me radhë, udhëheqësit do të diskutojnë sfidat më urgjente gjeopolitike, të sigurisë dhe gjeoekonomike.

“Ne filluam në vitin 2005 me shpresë, vazhdojmë në vitin 2025 me përgjegjësi. Le të jenë këto tri ditë më shumë sesa një dialog, le të jenë një pikë kthese. Le të marrim përgjegjësi, le të udhëheqim dhe le të ndërtojmë një të ardhme që të tjerët duan ta ndjekin”, tha presidenti i GLOBSEC-ut, Robert Vass, në hapje të Forumit.

Forumin, që mban emrin zyrtar “Komandimi në kaos: Është koha që Evropa të marrë përgjegjësi”, e hapi presidenti çek, Petr Pavel, nën patronazhin e të cilit po zhvillohet edhe vetë ngjarja.

Në fjalimin e tij, ai u përqendrua tek e ardhmja e Ukrainës, mjedisi i ri transatlantik dhe siguria evropiane.

Presidenti çek, Petr Pavel.
Presidenti çek, Petr Pavel.

Pavel theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara në sigurinë e Evropës po ndryshon, prandaj Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi.

“Ne duhet t’i përshpejtojmë përpjekjet tona për ndërtimin e kapaciteteve të besueshme mbrojtëse evropiane dhe për forcimin e industrive tona të mbrojtjes. Kjo nuk do të thotë se duam të shkëputemi nga aleati ynë amerikan. Përkundrazi, përfshirja dhe ruajtja e dialogut me partnerët tanë përtej Atlantikut është më e rëndësishme se kurrë”, tha presidenti i Çekisë.

Në hapje të Forumit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, foli gjithashtu virtualisht, duke kërkuar mbështetje në shtimin e sanksioneve kundër Rusisë.

“Rusia nuk brengoset për një milion viktima, por për sanksionet, përfshirë masat për zvogëlimin e të ardhurave nga nafta”, tha Zelensky.

Përveç Ukrainës, temat që do të shtjellohen në GLOBSEC 2025, do të përfshijnë edhe armëpushimin e pasigurt në Lindjen e Mesme, tensionet në Indo-Paqësor dhe klimën e re pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë i ka riforcuar debatet mbi qëndrueshmërinë e lidhjeve transatlantike dhe angazhimin e Amerikës në sigurinë e Evropës.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian është duke u përballur, gjithashtu, me sfida të brendshme dhe tranzicione politike, që mund të ndikojnë agjendën e tij për mbrojtje dhe zgjerim.

Duke folur në një sesion në kuadër të GLOBSEC-ut, kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq – shteti i të cilit është i fundit që i është bashkuar BE-së në vitin 2013 – tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ende shumë punë për të bërë, për t’u anëtarësuar në familjen evropiane.

Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq.
Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq.

Ai veçoi Malin e Zi si më të avancuarin në këtë rrugëtim dhe tha se Shqipëria është duke bërë, gjithashtu, punë të mirë.

“Për ne, parim kryesor duhet të jenë meritat individuale. Ne duhet t’i shpërblejmë ata që i përmbushin kushtet, bëjnë reforma dhe negociata të suksesshme. Nuk duhet t’i lëmë të presin për të tjerët që nuk bëjnë hapa të tillë”, tha Pllenkoviq.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina – vetëm Kosova nuk është vend kandidat për anëtarësim në BE.

Në këtë kontekst, një nga diskutimet e veçanta në forumin e GLOBSEC-ut do të fokusohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes panelit “Ballkani Perëndimor në një udhëkryq gjeopolitik: Integrim në BE apo rritje e tensioneve rajonale?”.

Për Kosovën, pjesëmarrja në forume të tilla ka qenë një mundësi për të artikuluar qëndrimet shtetërore dhe për të theksuar rëndësinë e integrimit euroatlantik. Por, këtë vit, udhëheqësit e saj nuk marrin pjesë.

Presidentja Vjosa Osmani, e cila ishte e pranishme në forumin e vitit të kaluar, ndodhet për vizitë zyrtare në Japoni.

Një grua me një balonë dhe një flamur të BE-së duke ecur jashtë ndërtesës së Parlamentit Evropian në Bruksel. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Përveç sesioneve politike, GLOBSEC-u do të organizojë sivjet edhe edicionin e dytë të Samitit të Pragës për Teknologjinë dhe Gjeopolitikën (Prague GeoTech Summit), ku do të eksplorohen ndërveprimet mes teknologjisë së avancuar, sigurisë kombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në fokus pritet të jenë tema si inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, teknologjitë e gjeneratës së ardhshme dhe gara globale për dominim teknologjik.

GLOBSEC-u, për 20 vjet me radhë, ka pritur figura të njohura ndërkombëtare, si presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Papa i ndjerë Françesku dhe liderë të tjerë që kanë kontribuar në formësimin e debatit ndërkombëtar.