Një thirrje artistike për drejtësi në zemër të Evropës
Dhjetëra fustane të varur në tela për tharjen e rrobave, dhuruar nga të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë konflikteve të armatosura dhe nga figura publike në shenjë solidariteti, u gërshetuan simbolikisht me flamujt e shteteve anëtare, përpara selisë së organizatës që njihet si shtëpia evropiane për të drejtat e njeriut, Këshillin e Evropës
Instalacioni “Thinking of You” në selinë e Këshillit të Evropës po mbahet për të mbështetur viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, transmeton SPEKTRI.
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte të Armatosura, përpara selisë së Këshillit të Evropës në Strasburg ka nisur ekspozimi i instalacionit “Thinking of You/Mendoj për Ty” i artistes nga Kosova, Alketa Xhafa-Mripa, si kujtesë për mbi 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Dhjetëra fustane të varur në tela për tharjen e rrobave, dhuruar nga të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë konflikteve të armatosura dhe nga figura publike në shenjë solidariteti, u gërshetuan simbolikisht me flamujt e shteteve anëtare, përpara selisë së organizatës që njihet si shtëpia evropiane për të drejtat e njeriut Këshilli i Evropës.
Duke e sjellë këtë instalacion në zemër të Evropës, në qytetin që bashkon institucionet kryesore sikurse Këshillin e Evropës, Parlamentin Evropian dhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, instalacioni “Mendoj për Ty” është shndërruar në një simbol të qëndresës dhe mbijetesës, duke kapërcyer kufijtë e një vepre artistike.