Presidentja Vjosa Osmani është takuar me kryetarin e Parlamentit hungarez László Kövér.
Ky takim është zhvilluar në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Hungari.
“Në takim me kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, z. László Kövér në Budapest, diskutuam për rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror në përfitim të qytetarëve të të dyja vendeve.” – ka shkruar Osmani në rrjete sociale, më 18.06.2025.
Osmani ka shtuar se Kosova është e vendosur të hapë kapituj të rinj të bashkëpunimit me Hungarinë.
Po ashtu, sipas saj, Kosova synon të ruajë raportet historike dhe t’i fuqizojë lidhjet mes popujve.
Presidentja Osmani është pritur me nderime ushtarake në Hungari nga homologu i saj Tamás Sulyok, më 17.06.2025.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook Osmani e ka falënderuar Sulyok për pritjen e organizuar në Budapest.
“Një vizitë e rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në funksion të bashkëpunimit të ndërsjellë.” – kishte shkruar Osmani.
Sulyok dhe Osmani kanë zhvilluar një takim të përbashkët dhe më pas ishte paraparë të ketë takime edhe në mes të delegacioneve të dy shteteve.
“Në kuadër të vizitës presidenti Sulyok do të shtrojë drekë zyrtare për presidenten Osmani dhe delegacionin e saj në Pallatin presidencial ‘Sándor’.” – thuhej në komunikatën e Presidencës së Kosovës të mëngjesit, më 17.06.2025.
Gjatë kësaj vizite Osmani do t’i drejtohet studentëve dhe profesorëve të Universitetit “Eötvös Loránd” me një ligjëratë dhe diskutim me temën “Kosova dhe e ardhmja e saj evropiane: Bashkëpunimi rajonal, angazhimi global dhe rruga përpara”, ku do të shpalosë prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës – përfshirë integrimin euroatlantik.
Në kuadër të kësaj vizite presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me Odën Ekonomike në Hungari.