Osmani: Serbia dhe Rusia kërcënim për Kosovën, BE të mos e shpërblejë Beogradin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Rusia dhe aleatja e saj, Serbia paraqesin kërcënim për Kosovën, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos “e shpërbëjë Beogradin”.

Para nisjes së samitit të Komunitetit Politik Evropian në Konpenhagë të Danimarkës, Osmani tha për gazetarët se Rusia paraqet kërcënim për Evropën, ndërkaq Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se i kopjon veprimet e Moskës.

“Serbia i trajton shtetet fqinje si shtete që nuk ekzistojnë, si shtete të përkohshme, si shtete ndaj të cilave ajo vepron me agresion. Është kopje e metodave të Rusisë. Fatkeqësisht, Rusia e përkrah Serbinë në këto veprime. Tradicionalisht dhe për shekuj të tërë, ata kanë përdorur një koncept të ngjashëm: Rusia flet për ‘Rusinë e Madhe’ dhe ‘Botën Ruse’, Serbia për ‘Serbinë e Madhe’ dhe ‘Botën Serbe’ dhe përdorin të njëjtat metoda. Për ne të dyja paraqesin kërcënim”, tha Osmani.

Osmani tha se në rajonin e Ballkanit Perëndimor kurrë nuk ka vakum të ndikimit. Nëse nuk ka ndikim perëndimor, sipas saj, “forcat malinje të ‘Trekëndëshit të Ligësisë’ – që është Rusia, Kina dhe Irani – gjithmonë vijnë aty jo për bamirësi, por kanë interesa dashakeq strategjikë. Prandaj është e rëndësishme që zgjerimi të shtyhet përpara dhe Ballkani Perëndimor, ato shtete të rajonit që i plotësojnë kriteret dhe punojnë me vlerat e BE-së, duhet të merren parasysh që të lëvizin përpara”.

Osmani tha se disa ditë më parë Kosova shënoi dyvjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

Kosova e konsideron këtë sulm terrorist dhe akuzon shtetin e Serbisë për organizimin e tij.

“BE-ja vazhdon të kërkojë llogaridhënie. Ka pasur zero llogaridhënie dhe është koha që ata t’i shndërrojnë fjalët në veprime”, tha Osmani.

Sipas saj, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka tentuar që ta kopjojë udhëheqësin rus, Vladimir Putin, “duke përdorur taktika të agresionit dhe destabilizimit ndaj fqinjëve dhe për këtë arsye është e rëndësishme që shtetet anëtare të BE-së ta kuptojnë se shpërblimi i Serbisë për qëndrimin me Rusinë nuk është rruga përpara. Shtetet që janë harmonizuar 100 për qind me BE-në duhet të shpërblehen, jo ato që kanë zgjedhur Moskën si rrugë përpara”, tha ajo.

Serbia mban raporte të mira me Rusinë dhe deri më tani ka refuzuar që t’i bashkohet komunitetit ndërkombëtar në sanksionimin e Moskës për shkak të luftës kundër Ukrainës. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Beogradit – që synon të anëtarësohet në bllokun evropian – që të harmonizohet me politikën e jashtme të Brukselit.

Duke folur për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE – që Prishtina e ka dorëzuar në fund të vitit 2022 – Osmani tha se ai nuk është trajtuar ende nga BE-ja për shkak të “politikave të brendshme” të disa shteteve anëtare, por shtoi se Kosova do të vazhdojë të punojë që t’i bindë këto shtete, duke theksuar se “rruga e vetme për Kosovën” është anëtarësimi në BE dhe NATO.

Danimarka është mikpritëse e samitit të shtatë të Komunitetit Politik Evropian.

Samiti mbledh 45 udhëheqës, përfshirë edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Udhëheqësit do të fokusohen se si të forcohet Ukraina, në situatën e përgjithshme të sigurisë në Evropë dhe për një situatë më të sigurt gjeopolitike me të cilën përballemi”, tha Bashkimi Evropian.

Sipas BE-së, gjatë samitit do të mbahen disa tryeza diskutimesh për disa aspekte të situatës së sigurisë në Evropë përfshirë “kërcënimet tradicionale dhe hibride, sigurinë ekonomike dhe migrimin”.

BE-ja në këtë takim do të përfaqësohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe takimi do të bashkëudhëhiqet nga kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Fotografi nga arkivi.

Nga Presidenca e Kosovës thanë më herët se Komuniteti Politik Evropian synon t’i forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.

Në agjendën e publikuar nga BE-ja, te shtetet pjesëmarrëse, pas emrit të Kosovës është vendosur fusnota.

Më 2012, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja – palët arritën një marrëveshje për përfaqësimin rajonal, që më vonë u bë e njohur si “marrëveshja e fusnotës”.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, fusnota do t’i shtohej emrit të Kosovës sa herë që vendi do të përmendej, për ta mundësuar përfaqësimin në konferenca e iniciativa të ndryshme rajonale e ndërkombëtare. Në vitet pas nënshkrimit të marrëveshjes, emrit të Kosovës i bashkëngjitej gjithnjë edhe simboli i fusnotës në dokumente të Kombeve të Bashkuara, BE-së e institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Ndryshe, Komuniteti Politik Evropian rrallë vendos për çështje, por duke pasur parasysh se krerët shtetërore të kontinentit – përjashtim bëjnë ata nga Bjellorusia, Rusia dhe Vatikani – do të mblidhen me një vend për gjashtë apo shtatë orë për takime politike, nga kjo ngjarje mund të dalin përfundime interesante.

Përveç sesionit të Komunitetit Politik Evropian dhe kohës për takime dypalëshe, udhëheqësit do të ndahen në tri gupe punuese për tema që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rezistencën: Kërcënimet tradicionale dhe të reja; Siguria Ekonomike: Reduktimi i varësive evropiane; dhe Migracioni: Kontrolli Efektiv i Flukseve Migratore.

Komuniteti Politik Evropian u lansua më 2022, si ide e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, si një lloj forumi ndërqeveritar për diskutime politike lidhur me të ardhmen e Evropës.

Në samitin e parë të mbajtur në tetor të vitit 2022 në Pragë, Macron e hodhi poshtë idenë se ky komunitet është një lloj zëvendësimi për anëtarësimin në BE, duke ua kujtuar këtë udhëheqësve në Ballkanin Perëndimor.

Nga Ballkani Perëndimor, vetëm Kosova qëndron e fundit në rrugën evropiane, pasi është shteti i vetëm që nuk ka statusin e vendit kandidat. Ndërkaq, Shqipëria dhe Mali i Zi janë shtetet që kanë bërë përparimin më të madh në rrugën drejt bllokut evropian. Tirana synon që të bëhet pjesë e BE-së deri më 2030.