Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se presin nga Lëvizja Vetëvendosje që sa më shpejt të formojnë qeverinë e re, ndërsa tha se nuk do ta votojnë për presidente Vjosa Osmanin.
Hoxhaj në një prononcim për media tha se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë marr mandatin nga zgjedhjet e 14 shkurtit për formimin e institucioneve të reja, mirëpo siç u shpreh ai nuk do të pranojnë të votojnë një kandidatë ose kandidate për president/e për interesat e tyre personale.
“Presim nga Kurti dhe LVV-ja që të vazhdojnë punën edhe me formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit. Por dua të jem i qartë se ne nuk pranojmë që interesat e saj ose tij personale të na i shes si interesa nacionale. ..Ta bëni dallimin se nuk jemi ent i punësimit as departament i resurseve humane…Nuk do të jemi bashkëpunëtor për ambicie personale dhe të presim se kush në cilën karrige do të ulet. E ftojmë koalicionin e ardhshëm të qeverisë mos të bëj obstruksion, pasi këtu askush s’duhet të llogarit në PDK për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj po ashtu tha se në konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk pati dhunë e as gaz lotsjellës.
“Sot nuk pati dhunë, tym e gaz në Kuvend. Pati një kuvend demokratike. Ashtu siç është konstituuar Kuvendi të zgjidhet dhe qeveria”, tha ndër të tjera Hoxhaj. /Telegrafi/