“Për Identitet dhe Dinjitet” do të jetë sërish moto e protestës së organizuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ata kanë vendosur që sërish të marshojnë kundër diskriminimit të vazhdueshëm që po u bëhet nga ana e Serbisë. Marshi i shqiptarëve në Preshevë do të nis nga stadiumi i qytetit dhe do të vazhdojë deri tek qendra e këtij qyteti.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu tregon se marshi do të mbahet më 23 shtator nga ora 13:00 në Preshevë.
“Edhe në këtë marsh kërkesat tona janë të njëjta. Kërkojmë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, do t’i qesim në pah të gjitha format e diskriminimit të cilët me vite po i realizojnë Serbia dhe normalisht i qesim në pah të gjitha ato marrëveshje dhe zotimet që Serbia i ka marrë karshi komunitetit shqiptar, ku në shumicën e marrëveshjeve kanë qenë ndërmjetësues edhe faktori ndërkombëtar, por që Serbia asnjëherë nuk i ka respektuar ato marrëveshje”, shton Lutfiu.
Pas protestës së parë e cila u mbajt muajin e kaluar në Bujanoc, kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar thotë se ka pasur reagime të partisë së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Një iniciativë të cilën dëshirojnë ta zhvillojnë në një tryezë për të diskutuar me përfaqësuesit shqiptar, gjë që ne e kemi refuzuar sepse Demo Berisha nuk mund të përfaqësojë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe nuk paraqet asnjë garancë as trupi koordinues si organ i qeverisë që të diskutojmë problemet e sfidat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thekson kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
“Ne i kemi njoftuar (ambasadat) dhe ka pasur edhe reagime. Normalisht që është dënuar ajo gjuhë e urrejtjes. Faktikisht organizimi i protestës po i shpërfaq nacionalistët, të cilët sikur të ekzistonin rrethanat e përshtatshme për ta, ata do të ishin destabilizues dhe keqbërës për vendin tonë. Por, normalisht imagjino ende nuk kemi përgjigje nga autoritetet përgjegjëse për autorët e këtyre mbishkrimeve që paraqesin gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve”, shprehet Lutfiu.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu tregon se do të dërgojnë kërkesën për pjesëmarrje e mbështetje të marshit të gjithë akterëve, përfaqësuesve të institucioneve e shoqërisë civile. Ai pret që të ketë numër të madh të qytetarëve të cilët do të marshojnë për të drejtat e tyre në Preshevë. /KP/Telegrafi/