Tashmë ka përfunduar takimi i emisarit evropian, Miroslav Lajçak, me përfaqësuesit e Listës Serbe
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialog Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe në Mitrovicën e Veriut.
Pas takimit, Igor Simiq, nga kjo parti, ka thënë se e kanë njoftuar të dërguarin special për dialog dhe për “të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen serbët”.
“Kemi folur për problemet me të cilat serbët në veri, veçanërisht për represionin që kanë nga Albin Kurti”, ka deklaruar Simiq, raporton Dukagjini.
Ai nuk ka specifikuar se cilave probleme u referohej, por ka thënë se Lista Serbe do të dalë me një komunikatë më të detajuar.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Ndërkohë, Lajçak ka vazhduar bisedimet në Mitrovicën e Veriut me përfaqësues të tjerë politikë të serbëve të Kosovës.
Zyrtarët nga Bashkimi Evropian kanë thënë se vizita e Lajçakut në Kosovë e Serbi synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Ndryshe, këtë të enjte për vizitë zyrtare Lajçak ka qëndruar në Kosovë, të premten do të jetë në Serbi./Dukagjini