Kryeministri Rama e ka quajtur formën e kundërshtimit të shprehur në Kuvend nga opozita, e cila rezultoi në një përleshje me partinë në pushtet, si një të atillë në dëm të vendit.
Përleshja në mes të pozitës dhe opozitës ka tërhequr edhe vëmendjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Me anë të një postimi në Twitter, ky i fundit e ka quajtur “të turpshme” sjelljen e opozitës, gjersa uroi që ajo të distancohej nga veprime të kësaj natyre.
“Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, ka shkruar Rama.
Kryeministri Rama e ka quajtur formën e kundërshtimit të shprehur në Kuvend nga opozita si një të atillë në dëm të vendit.
“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit!”, ka shkruar ai.
Teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po fliste në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai është sulmuar nga deputetët e opozitës.
Ky reagim i opozitës vjen pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka larguar fotografinë e vendosur në foltore nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Kurti është spërkatur fillimisht me ujë nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e më pas filloi përleshja në mes të deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit.
Në këtë kohë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka goditur deputetin Lushtaku me shishe të ujit në fytyrë, ku më pas deputetët e pushtetit e të opozitës janë përfshirë në rrahje.
Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka ndërhyrë menjëherë, ndërsa kuvendi shkoi në pauzë për 30 minuta./Dukagjini