Përparimi i madh në trajtimin e kancerit mund të jetë një vaksinë

Një arritje e madhe për trajtimin e kancerit, mund të jetë një vaksinë.

Pas suksesit të kufizuar për dekada, shkencëtarët thonë se kërkimi ka arritur në një pikë kthese. Ata parashikojnë që më shumë vaksina do të dalin brenda pesë vjetëve.

Këto nuk janë vaksina tradicionale që parandalojnë sëmundjet, por vaksina për të zvogëluar tumoret dhe për të ndaluar rikthimin e kancerit. Objektivat për këto trajtime eksperimentale përfshijnë kancerin e gjirit dhe mushkërive, me përfitime të raportuara këtë vit për melanomën vdekjeprurëse të kancerit të lëkurës dhe kancerin e pankreasit.

“Ne po bëjmë diçka që mund të funksionojë. Puna jonë është ta bëjmë atë të funksionojë më mirë”, tha Dr. James Gulley, i cili ndihmon në udhëheqjen e një qendre në Institutin Kombëtar të Kancerit që zhvillon terapi imune, duke përfshirë vaksinat për trajtimin e kancerit.

Më shumë se kurrë, shkencëtarët e kuptojnë se si kanceri fshihet nga sistemi imunitar i trupit. Vaksinat kundër kancerit, si imunoterapitë e tjera, nxisin sistemin imunitar për të gjetur dhe vrarë qelizat e kancerit. Dhe disa të reja përdorin “mRNA” që u krijua për kancerin, por u përdor fillimisht për vaksinat COVID-19.

Që një vaksinë të funksionojë, ajo duhet që t’ua mësojë qelizave T të sistemit imunitar të njohin kancerin si të rrezikshëm, tha Dr. Nora Disis nga Instituti i Vaksinave të Kancerit të UW Medicine në Seattle. Pasi të trajnohen, qelizat T mund të udhëtojnë kudo në trup për të “sulmuar” rrezikun.

“Nëse keni parë një qelizë T të aktivizuar, mund të shihet se lëvizë sikur të ketë këmbë”, tha ajo. “Ju mund ta shihni atë duke u zvarritur nëpër enët e gjakut për të dalë në inde.”

Kathleen Jade, 50 vjeç, mësoi se kishte kancer gjiri në fund të shkurtit, vetëm disa javë para se ajo dhe burri i saj të niseshin nga Seattle për një aventurë rreth botës. Në vend që të lundronte me varkën e tyre nëpër “Great Lakes” në drejtim të St. Lawrence Seaway, ajo ishte në spital duke pritur dozën e saj të tretë të një vaksine eksperimentale. Ajo po merr vaksinën për të parë nëse ajo do ta tkurrë tumorin e saj përpara operacionit.

“Edhe nëse ky është shans i vogël, unë e ndjej që ja vlen” tha Jade, që gjithashtu po merr trajtim standard.

Progresi në vaksina ka qenë sfidues. E para, Provenge, u miratua në SHBA në vitin 2010 për të trajtuar kancerin e prostatës që ishte shumë i përhapur. Kërkon përpunimin e qelizave imune të vet pacientit në një laborator dhe kthimin e tyre përmes “IV”-s. Ekzistojnë gjithashtu vaksina trajtimi për kancerin e hershëm të fshikëzës urinare dhe për melanomën e avancuar./Koha.net