Përplasja e aeroplanit në Uashington; Çfarë dihet për përplasjen?

Një aeroplan pasagjerësh me 64 persona në të është përplasur me një helikopter ushtarak dhe për pasojë ka rënë në një lumë në Uashington.

Deri më tani është bërë e ditur se 18 persona janë nxjerrë prej lumit Potomak, ku ekipet e kërkim-shpëtimit janë të angazhuara për të kërkuar njerëzit e tjerë. Ende nuk dihet nëse ka persona të vdekur.

Temperaturat është raportuar të jenë tejet të ulëta.

Autoritetet amerikane janë duke hetuar rastin ndërsa Aeroporti Kombëtar i Uashingtonit, Ronald Reagan i ka ndalur të gjitha fluturimet.

Çfarë ndodhi?

Rreth orës 21:00 të së mërkurës, sipas kohës lokale, një aeroplan i kompanisë PSA Airlines, duke operuar si American Airlines 5432, është përplasur me një helikopter të ushtrisë amerikane, teksa i është afruar aeroportit Ronald Reagan, sipas Administratës Federale të Aviacionit.

Aeroplani i pasagjerëve, i llojit Bombardier CRJ700, është nisur nga Kansasi.

Në të kanë qenë 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të bordit, sipas American Airlines.

Pentagoni ka thënë se helikopteri ka qenë i tipit Sikorsky H-60, i cili ishte nisur nga Virxhinia. Tre ushtarë kanë qenë në bord, sipas rrjetit televiziv, CBS.

Administrata Federale e Aviacionit ka thënë se do ta hetojë incidentin, bashkë me Bordin Kombëtar për Siguri të Transportit.

A ka viktima?

Nuk ka raportime zyrtare për viktima. Në raportimet fillestare në mediat amerikane është thënë se aeroplani i pasagjerëve është ndarë në dysh në lumin Potomak, ndërsa helikopteri është përmbysur në ujë.

Policia dhe departamenti i zjarrfikësve janë duke kërkuar në lumë për të mbijetuarit.

Përpjekjet për kërkim-shpëtim mund të shihen nga aeroporti Ronald Reagan, që është afër lumit.

Çfarë kanë thënë dëshmitarët?

Ari Schulman ka thënë për NBC Washington se e ka parë përplasjen e aeroplanit teksa ka qenë duke vozitur me makinë në afërsi të aeroportit.

Ai ka thënë se ulja e aeroplanit është dukur normale, derisa ka parë një dritë të madhe në qiell, si pasojë e përplasjes.

Deklarimet e zyrtarëve amerikanë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se është informuar plotësisht për “aksidentin e tmerrshëm” dhe që është duke vëzhguar situatën nga afër.

“Zoti i bekoftë shpirtrat e tyre”, ka thënë ai përmes një deklarate.

Trump i ka falënderuar ekipet e kërkim-shpëtimit për punë e bërë.

Nënpresidenti J.D Vance ka bërë thirrje për t’u lutur për ata që janë përfshirë në incident.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe Sekretari i Transportit, Sean Duffy, të cilët sapo janë emëruar në pozitat e tyre, kanë thënë se janë duke monitoruar situatën.

Shefi i kompanisë American Airlines, Robert Isom, ka shprehur “dhimbje të thellë” për përplasjen.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë regjistruar ndonjë aksident me aeroplanë pasagjerësh qysh prej shkurtit të vitit 2009, ndonëse një mori incidentesh në vjetët e fundit kanë rritur shqetësimet për sigurinë.