Përplasja e parë midis protestuesve dhe policisë ndodhi përpara godinës së Kryeministrisë. Një gomë e djegur para Presidencës i kishte paraprirë zhvillimit të ngjarjeve. Protestuesit përdorën molotov në drejtim të godinës.
Protestës iu bashkua edhe Ilir Meta, shoqëruar me simpatizantë të Partisë së Lirisë, por duke qëndruar në distancë nga organizatorët demokratë dhe kordoni i policisë.
Pak pasi policia kishte parkuar automjetet e saj në hyrje të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të bllokuar trafikun, pas shenjës së Flamur Nokës demokratët protestues marshuan drejt selisë së Partisë Socialiste. Një molotov i hedhur nga turma e protestuesve përfshiu në flakë banderolën e vendosur në ballinën e “selisë rozë”. Misioni simbolik u përmbush dhe posteri i Edi Ramës u përfshi nga flakët.
Organizatorët dhe një grup i protestuesve u zhvendos më pas para godinës së Ministrisë së Brendshme, ku sulmet ishin më të pakta.
E njëjta nuk ndodhi edhe para Bashkisë së Tiranës. Të gjendur përballë institucionet që drejtohet nga Erion Veliaj, demokratët nisën të përplasen me kordonin e policisë. Nuk munguan as molotovët. Një efektiv u përfshi nga flakët. Më pas u dogj edhe një protestues.
Gjatë rrugës për te godina e Kuvendit ku nuk u kursye përdorim i gazit lotsjellës nga policia, nuk munguan as incidentet si thyerja e tabelave të reklamimit apo edhe hapja e derës në një ambulance me sirenë ndezur nga protestuesit. Tre qytetarë mbetën gjithashtu të lënduar. Demokratët përdorën maskat për t’u mbrojtur.
Teksa marshimit po i vinte fundi, Policia e Shtetit njoftoi se Policia e Shtetit ishin dëmtuar 10 efektivë nga përplasjet me protestuesit dhe molotovët. Ekspertët e kriminalistikës nisën ndërkohë veprimet për dokumentimin dhe mbledhjen e provave pas lëndëve plasëse që u hodhën drejt Kryeministrisë.
Të lënduar mbetën edhe nga ana e protestuesve ku më servioze ishte rasti i një qytetari të përfshirë nga flakët e molotovit.
Në mbyllje të protestës nga “selia blu” foli Flamur Noka.
“Sot ishte dita e para që mosbindja civile zbriti në rrugët e Tiranës. Regjimi narkos i tërbuar, sot mori një mesazh: Jepi zgjidhje kërkesës së qytetarëve, jepi zgjidhje qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë qetësi. Qytetarët sot i dhanë leksion Ramës. Ky ishte vetëm hapi i parë. Kjo nuk ishte protestë, por revoltë”, u shpreh Noka. /Telegrafi/