Piksi me telashe para ndeshjes me Shqipërinë: pesë mungesa, tetë vonesa në grumbullim!

Përfaqësuesja e Serbisë po përballet me telashe serioze vetëm pak ditë para përballjes me Shqipërinë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Ndeshja do të zhvillohet të shtunën, më 11 tetor, në ora 20:45, në stadiumin “Duboçica” të Leskovcit, ndërsa për “orlët” dhe “shqiponjat” kjo sfidë është vendimtare – fitorja do t’i mbante gjallë shpresat për kualifikim përmes play-off-it, pasi Anglia kryeson bindshëm Grupin K.

Selektori Dragan Stojkoviq – Piksi është përballur me një numër të madh mungesash në prag të ndeshjes me kuqezinjtë.
Për shkak të dëmtimeve nuk do të jenë në dispozicion Sasha Lukiq, Kosta Nedeljkoviq, Vanja Milinkoviq-Saviq, Ivan Iliq dhe Aleksandar Katai, ndërsa Nemanja Gudelj është në dyshim për shkak të problemeve në ije.
Për më tepër, Nikola Milenkoviq nuk do të luajë për shkak të pezullimit.

Për të plotësuar boshllëqet, Piksi ka ftuar disa futbollistë nga kampionati vendor dhe klubet e kryeqytetit – Vasilije Kostov, Vanja Dragojeviq dhe Lazar Ranđeloviq.

Tetë futbollistë vonohen në grumbullim

Situatën e vështirë e ka komplikuar edhe një tjetër zhvillim: tetë lojtarë nuk morën pjesë në stërvitjen e parë të zhvilluar të hënën në Stara Pazova.
Në mesin e tyre ishin Dushan Vlahoviq, Filip Kostiq, Strahinja Pavloviq, Nemanja Gudelj, Luka Joviq, Nikola Milenkoviq, Aleksandar Stankoviq dhe Andrija Zhivkoviq, i cili mungoi pasi është bërë baba për herë të dytë.

Megjithatë, të gjithë kanë marrë leje nga selektori dhe pritet t’i bashkohen ekipit në seancën e së martës.

Piksi: “Nuk fshehim asgjë, publiku duhet ta dijë gjendjen reale”

“Si gjithmonë, nuk kemi asgjë për të fshehur. Situata me dëmtimet është e vështirë, por kjo është realiteti.
Lukiq ka tërheqje muskulore dhe do mungojë 4–6 javë, Iliq ka dëmtim në pulpë, Katai është jashtë për shkak të gjurit, Nedeljkoviq është dy muaj jashtë, Gudelj ndien dhimbje në ije, ndërsa Vanja Milinkoviq-Saviq ka probleme me shpinën dhe nuk do të udhëtojë,” deklaroi Piksi në konferencën për media.

Serbia dhe Shqipëria para provës më të madhe

Pavarësisht mungesave, Serbia pritet të kërkojë me çdo kusht fitoren ndaj Shqipërisë, pasi kjo ndeshje mund të përcaktojë fatin e kualifikimit.
Selektori dhe futbollistët e tij janë të vetëdijshëm për peshën e madhe të këtij dueli që pritet të zhvillohet para një publiku të zgjedhur dhe nën masa të rrepta sigurie në Leskovc./Spektri