Kanë kaluar më shumë se 48 orë prej kur Policia e Kosovës u përball me një sulm terrorist nga një grup i armatoosur, shumica e të cilëve janë arratisur e disa janë arrestuar nga organet e rendit.
Deri më tani siç mëson KALLXO.com, ekipet policore kanë nisur kontrollin në rrugët të cilat dyshohen se u përdorën nga grupi terrorist për tu arratisur ndërsa në orët e mëngjesit është larguar nga Banjska edhe autoblinda e dytë që u gjet gjatë ditës së djeshme e për të cilin raportoi KALLXO.com se të dyshuarit e kishin lënë në një rrugë që dërgon për Izvor.
Rruga e cila u përdor nga grupi për arratisje shihet se është mbrapa manastirit të Banjskës.
Ekipet e hetuesve të policisë siç mëson KALLXO.com vazhdimisht po mbledhin prova dhe materiale nga ngjarja e së dielës e që të gjitha këto do të bëhen pjesë e procedurës hetimore tutje për të zbardhur ngjarjen e rëndë që u shënua fillimisht me vrasjen e policit Afrim Bunjaku, plagosjen e një polici tjetër e lëndimin e disa forcave policore gjatë kundërsulmit që ndodhi me grupin terrorist.
Në autoblindën që policia ka gjetur dhe tashmë e ka bartur të njëjtën për në jug te Mitrovicës, KALLXO.com mëson se ka pasur armatim të rëndë e që të gjitha armët do të ekzaminohen.
Përveç njësive policore të cilët po vazhdojnë të mbajnë perimetrin e sigurtë janë vendosur në dhjetëra pika kontrolli, edhe ekipet e misioneve ndërkombëtare janë duke vazhduar që të mbikëqyrën zhvillimet dhe situatën pas ngjarjeve të së dielës.
KALLXO.com mbrëmë raportoi edhe për pajisje të avancuara të KFOR-it të cilat janë parë duke dalë nga Banjska në orët e mbrëmjes.
Gjithashtu edhe sot ngjashëm sikurse ditët e tjera çdo veturë që hynë brenda perimetrit që ka formuar policia po kontrollohet për shkaqe të sigurisë, përfshirë këtu edhe banorët në mënyrë që të mos ketë ndonjë incident të mundshëm gjatë kohës sa po kryhen kontrollet në Banjskë.
Mbrëmë KALLXO.com raportoi se një hotel në Banjskë është bastisur, janë intervistuar disa punëtorë, dy persona janë arrestuar ndërsa janë konfiskuar edhe disa DVR.