Policia e Kosovës shkatërron sot të gjitha armët ilegale që i ka konfiskuar

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot do të shkatërrojë të gjitha armët ilegale që janë konfiskuar, e që për to kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore.

Organizimi për shkatërrimin e tyre do të fillojë nga ora 10:00, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, në fshatin Prelez.

Siç është bërë e ditur në njoftim, në baza vjetore, Policia e Republikës së Kosovës konfiskon mesatarisht rreth 1,500 armë të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm si dhe mjete të ndryshme plasëse, duke përfshirë edhe eksplozivët artizanalë.

“Me vendim të gjykatës, është lejuar shkatërrimi i armëve të llojeve të ndryshme të cilat janë konfiskuar në raste të ndryshme penale dhe për të cilat kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore.

Ky aktivitet mbështetet nga Bashkimi Evropian si dhe përmes mbështetjes nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë- Programit të Kosovës për Siguri (KSSP) si dhe SEESAC, ku pritet të marrin pjesë personalitete të larta nga Ministra e Punëve të Brendshme, UNDP-ja, BE-ja dhe Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.