Policia e zbulon një laborator droge në Leposaviq, e arreston një të dyshuar

Policia e Kosovës njoftoi të dielën herët se e ka zbuluar një laborator droge në një fshatë në qytetin verior, Leposaviq, si dhe e ka arrestuar një të dyshuar për këtë rast në Jarinjë, pikën kufitare me Serbinë.

Policia tha në një komunikatë për media se kishte pranuar informata të shtunën se në një shtëpi në fshatin Granican të Leposaviqit dyshohej se po kultivoheshin bimë të kanabisit.

Njësia antidrogë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe “gjatë bastisjes në një dhomë të shtëpisë janë gjetur dhe sekuestruar rreth 23 bimë të mbjella të dyshuar si kanabis, me gjatësi prej 40 centimetra deri në 1.85 metra, si dhe pasje të tjera të cilat nevojiten për improvizimin e laboratorit (poqa, ventilim etj.)”, thuhet në komunikatë.

I dyshuari, 43 vjeç, u identifikua dhe u kap në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë, sipas komunikatës. Ai është dërguar në paraburgim për 48 orë me urdhër të prokurorit të rastit.

Policia tha se një pjesë të bimëve të dyshuara si kanabis i ka marrë si mostra për testime laboratorike, ndërsa pjesën e mbetur e ka shkatërruar me urdhër të prokurorit.

Policia zbulon tre laboratorë droge në veri, arreston dy serbë

Kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës kryen aksione kundër drogës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në fillim të vitit të kaluar policia zbuloi tre laboratorë droge në Mitrovicë të Veriut.

Po ashtu, në maj të vitit të 2022, policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë. Në prill të atij viti, ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë.