Preshevë: Persona të paidentifikuar dhe pa paralajmrim vendosin flamurin serb në objektin e shkollës fillore shqipe në fshatin Zhunicë

Zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka  reaguar përmes një postimi publik ku ka shkruar se “Persona të paidentifikuar kanë vendosur sot, pa asnjë paralajmërim apo konsultim institucional, flamurin shtetëror të Serbisë në objektin e paraleles së ndarë të shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në fshatin Zhunicë, Preshevë”.
Mustafa ka theksuar se “Kjo nuk është gjë tjetër veçse një ngacmim politik i radhës, që synon të provokojë ndjenja nacionaliste dhe të destabilizojë qetësinë në zonat shqiptare. Është përpjekje për të zhvendosur krizën shtatë mujore nga Beogradi, Novi Sadi, Nish dhe qytete të tjera serbe, drejt Preshevës dhe rrethinës së saj,” paralajmëroi Mustafu.
Vlen të theksohet se paralelja e Zhunicës, e cila funksionon tash e 80 vite, është e banuar dhe frekuentohet vetëm nga nxënës shqiptarë, ndërkohë që fshati ka një shumicë absolute shqiptare – me më pak se pesë banorë serbë nga rreth 1,800 gjithsej. Asnjëherë më parë, në këtë shkollë nuk janë vendosur flamuj, as kombëtar shqiptarë e as serbë.
Ky është postimi i plotë i Mustafës:
“Sot, 19 maj 2025 persona të paidentifikuar dhe pa paralajmrim vendosin flamurin serb në objektin e shkollës fillore shqipe në fshatin Zhunicë. Kjo shkollë fillore është paralele e ndarë e shkollës fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi’ me seli në Preshevë. Paralelja e ndarë e shkollës fillore në Zhunicë nuk ka asnjë nxënës serb, janë të gjith shqiptar, fshati Zhunicë është i banuar me shumicë absolute shqiptar, nuk ka më shumë se 5 serb nga rreth 1800 banor që ka vendbanimi. Nëse në objektin e shkollës qendër ndodhet flamuri i shtetit serb nuk është e domosdoshme që edhe paralelet e disperzuara të stolisen me flamijt serb. Te e fundit për dijeninë e opinionit publik paralelja e disperzuar e shkollës fillore qendër nga qyteti Preshevë në Zhunicë funksionon që plot 80 vite dhe kurrë në objekt të shkollës nuk ka patur flamuj as kombëtar shqiptar por as edhe serb!
Pse kjo pondodh sot, pa paralajmrim, pa nevojë e domosdoshmēri e pa diskutim me Pushtetin Lokal, Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe askend tjetër në fshatin përkatësisht bashkësinë lokale Zhunicë?
Këtë akt dhe sjellje të këtyre personave të paidentifikua që vendosin flamuj nëpër shkollat shqipe nuk ka se si ndryshe t’a quajmë NGACMIM POLITIK i radhës edhe ate me pretendim të shtetit serb të e transferoj krizën e saj politike shtatë mujore nga qendrat urbane serbe Beograd, Novi Sad, Nish, Kragujevc, Kralevë e kudo tjetër në Serbi, nga atje në vendbanimet shqiptare në qytetin Preshevë e rrethinë të Preshevës mbase dhe në Luginë.
Prandaj, ftojmë nxënësit e arsimtarët shqiptar të shkollave shqipe si në fshatin Zhunicë por edhe mbarë Luginës të jenë të përmbajtur dhe mos të provokohen emocionalisht nga këto veprime qyqare e provokuese serbe.
Njēkohësisht, ftojmë faktorin ndërkombëtar por edhe ate kombëtar në nivel të politikës shqiptare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut që të reagojnë në kohë për mbrojtje e shqiptarëve nga mizoritë e ngacmimet e ulëta serbe ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Luginë të Preshevës”.
RM