Prokuroria hap rast për grafitin e shfaqur në Leposaviq ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’

Prokuroria Themelore në Mitrovicë po heton rastin e grafitit “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, i cili është shfaqur ditëve të fundit në fshatin Dren të Komunës së Leposaviqit.

Pas raportimit të KALLXO.com, gjatë ditës së djeshme për këtë grafit, Prokuroria e Mitrovicës i ka thënë ekipit se prokurori kujdestar është njoftuar nga policia për këtë rast dhe ka udhëzuar hapjen e rastit për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

“Është udhëzuar policia për ndërmarrjen e veprimeve hetimore për identifikimin e personave që e kanë vendosur grafitin”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Mitrovicës për KALLXO.com.

Parulla nacionaliste “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shfaqur kohëve të fundit edhe në Kosovë.

Një thirrje e tillë u konsiderua javë më parë thirrje me motive nxitëse në kohën kur në tri komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës situata ishte e tensionuar madje pati edhe sulme dhe incidente të shumta.

Në magjistralen Leposaviq – Jarinje, në fshatin Dren, në një objekt të pabanuar është vizatuar me ngjyrë të verdhe grafiti i cili përmban thirrje nacionaliste “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Një thirrje e tillë fillimisht ishte parë fillimisht në një ndeshje futbolli në Beograd, e që ishte krijuar nga tifozët e klubit Crvena Zvezda më datë 26 korrik 2023, në një ndeshje miqësore me klubin Fiorentina

Thirrja “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” e ngjyrosur me ngjyrat e flamurit të Serbisë, një tank mbrapa i formuar nga tifozët së bashku me flamurin e Serbisë në sfond, u mbajtën për disa minuta gjatë kësaj ndjeshje futbolli.

Pas publikimit të këtyre pamjeve reagimet në Kosovë nisën nga ai i kryeministrit Albin Kurti, i cili në Twitter tha se gjatë ndeshjes u bë thirrje që ushtria e Serbisë të kthehej në Kosovë.

“Dje Crvena Zvezda bëri thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të pandërprera”- ka shkruar Kurti në Twitter duke bashkangjitur edhe fotografitë ku shihej Arkani dhe thirrja e tifozëve.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku kishte reaguar duke thënë se Serbia tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse.

“Kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese. Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”- kishte shkruar Çeku në rrjetin social Facebook.

Ndaj këtij veprimi kishte reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës.

“Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës është një akt i papranueshëm dhe i pashoq për sportin, por edhe për harmoninë e paqen ndërmjet vendeve dhe popujve në rajonin tonë, e sidomos në periudhën e tensioneve mes dy vendeve”- thuhet në reagimin e FFK-së.

Tutje ata thanë në reagim se ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës.

Pas kësaj thirrje që fillimisht u promovua në ndeshjen e Crvena Zvezdës, thirrje e grafitë të ngjashme u shfaqën në vende të ndryshme në Serbi në fund të korrikut por edhe në Bosnje e Hercegovinë.

Parulla me thirrje për nxitje që ushtria e Serbisë të kthehet në Kosovë, në Leposaviq u pa pranë edhe simbolit me 4 c i cili simbolizon Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Mbishkrime të tilla që bëjnë thirrje për rezistencë shihen në vende të ndryshme në veri të vendit.

Në katër komunat me shumicë serbe disa herë KALLXO.com ka raportuar edhe për thirrjet e tjera ato si “NATO shko në shtëpi”, “KM mbetet”, “Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu për të ju mbrojtur”, “Nga 21 nëntori obligim për të gjithë të bëjnë rezistencë në çdo hap. Brigada e Veriut. Ne nuk dorëzohemi! KM qëndron”.

Në veri të vendit KALLXO.com kishte raportuar në nëntor të vitit 2021 se si lartësohet edhe figura e të dënuarit për gjenocid e krime lufte, Ratko Mlladiq.

Murali është i vendosur në afërsi të Komunës së Zveçanit në një objekt./Kallxo.com