Propozimi i Ramës për Asociacionin konsiderohet ndërhyrje në punë të brendshme të Kosovës

Reagime të shumta ka nxitur iniciativa e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Derisa deputetë të pushtetit dhe një pjesë e opozitës e kanë parë atë si ndërhyrje në punë të brendshme të Kosovës, nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se drafti duhet ta ketë mbështetjen e Kosovës. Kundër draftit është deklaruar edhe opozita në Shqipëri.
Dorëzimi i draftasociacionit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, te presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka nxitur reagime në Kosovë e Shqipëri.

Deputetë nga pushteti dhe opozita e kanë konsideruar atë si ndërhyrje në punë të brendshme të Kosovës.

Shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ai draft para se të shkojë në Francë e Gjermani, duhej të vinte në Kosovë.

“Ai dokument nuk është për Francën, për Gjermaninë e shtetet e tjera. Ai dokument është për Kosovën, para se të shkojë atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar në formën e ofrimit të një drafti të statutit”, ka thënë Kusari-Lila.

E Arben Gashi i LDK-së ka thënë se për propozimin e statutit të Asociacionit kompetente është vetëm Qeveria e Kosovës.

“Të jemi të qartë e të saktë; kompetent për propozimin e statutit të Asociacionit, si dhe menaxhimin me partnerët ndërkombëtarë, është vetëm Qeveria e Kosovës, askush tjetër, asnjë Qeveri e ndonjë vendi tjetër”, ka deklaruar shefi i GP-së së LDK-së.

Edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka konsideruar këtë si ndërhyrje flagrante të Ramës në punët e brendshme të Kosovës.

“Argati i Vuçiqit, në detyrim ekstrem, shpalosi veten si një vasal i shpifur i doktrinarit dhe njërit prej autorëve të gjenocidit serb në Bosnjë dhe Kosovë, njeriut që me politikën e tij etno-nacionaliste, politikën e tij të Serbisë së Madhe, është faktor destabilizimi kryesor në Ballkan, dhe pas Putinit të Madh edhe në Evropë, Aleksandër Vuçiq”, ka thënë Berisha.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se Shqipëria mund të ndihmojë lidhur me situatën e krijuar në Kosovë, vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me institucionet e Kosovës e kryeministrin Kurti.

“Zgjidhja se si do të arrihet Asociacioni, gjendet pra te respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërsa te Vuçiq nuk e kemi parë në asnjë rast një gjë të tillë, përkundrazi një sërë veprimesh të tij kanë demonstruar të kundërtën”, është shprehur Meta.

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, nga radhët e PDK-së ka dalë në mbështetje të Ramës, edhe pse drafti, siç tha kryeministri i Shqipërisë, është konfidencial.

“Së pari mendoj që është një hap i duhur, i drejtë dhe i domosdoshëm që Shqipëria ka dalë me një propozim të tillë dhe është mirë që të ketë edhe një dialog, jo vetëm politik të brendshëm në Kosovë, por edhe një dialog ndërshqiptar për atë që po ndodhë në veri të vendit”, ka thënë Hoxhaj.

Por, një tjetër ish-ministre e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, e ka kundërshtar propozimin e Ramës.

“Pra tash “agjentët” e idesë së shkëmbimit të territoreve janë vënë në lëvizje për jetësimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Të mos gabohemi. Qëllimi mbetet i njëjtë: ndarja e Kosovës!” ka thënë ajo.

Ambasadori i Britanisë, Nicholas Abbott, i pyetur për draftin ka thënë se nuk e ka parë ende, por që, sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë të afërta e që do të kenë një takim javën e ardhshme.

“Shqipëria është shtet shumë i afërt me Kosovën, e di që flasin qeveri me qeveri. E di që javën e ardhshme kanë takim, jam i sigurt që do të flasin për shumë çështje. Qeveria e Kosovës të dëgjojë për këto, të gjejë mënyrën e duhur para, por një që tregon mirëkuptim për brengat e miqve”, ka deklaruar Abbott.

E zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Serbia me Asociacionin po synon të vendosë një “Kalë të Trojës në Kosovë dhe se për këtë, sipas tij, tregon edhe një “non-paper” që së fundi është drejtuar nga Akademia e Shkencave e Serbisë./Koha.net