Putin shpall katër rajonet e Ukrainës territor të Rusisë





Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia ka katër rajone të reja, teksa po njofton aneksimin zyrtar të rajoneve Kherson, Zaporizhzhia, Donetsk dhe Luhansk, të Ukrainës.

Putin tha se aneksimi i këtyre katër rajoneve “është vullneti i miliona njerëzve” dhe është “e drejtë e tyre integrale”, siç thuhet në kartën e OKB-së.

“Rezultatet dihen shumë mire. Jam i sigurt se Kuvendi Federal do të përkrahë katër regjionet e reja të Federatës Ruse, sepse ky është vullneti i miliona njerëzve”, tha ai, i cili u përcoll me aplaudim në hollin e Kremlinit, raporton Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Putin tutje tha se njerëzit e Donbasit kanë qenë “viktima të sulmeve terroriste çnjerëzore të kryera nga regjimi i Kievit”.

Putin më pas filloi në mënyrë solemne nënshkrimin e katër dekreteve me radhë, për Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson.