Që nga tensionimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, në fund të majit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur qëndrim kritik në raport me veprimet e institucioneve kosovare.
Mospajtimi i Ramës sidomos me përgjigjen që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka në raport me kërkesat ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në veri, ka çuar në anulimin e një mbledhjeje të përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, e paraparë të mbahej më 14 qershor në qytetin e Gjakovës.
Këto zhvillime shihen si pikë e ulët në raportet ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri.
Muharrem Kurtaj, jurist nga Prishtina, thotë se nuk e kupton vendimin për anulimin e mbledhjes së përbashkët në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Ai thotë se këto mbledhje, në të kaluarën, kanë prodhuar marrëveshje dhe vendime, nga të cilat kanë përfituar qytetarët e të dyja vendeve.
“Mbajtja e mbledhjeve të përbashkëta ishte një taktikë e mirë për afrimin e të dyja shteteve, sepse në mbledhjet e përbashkëta Kosovë – Shqipëri u krijua një abetare e përbashkët dhe normalisht ky ishte një afrim. Pastaj, kemi edhe lehtësimet në kalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, thotë Kurtaj për Radion Evropa e Lirë.
Një natë para se do të duhej të mbahej mbledhja, Rama ka njoftuar se i ka kërkuar Kurtit të ndryshohet formati i saj, por se Kurti nuk ka pranuar.
“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, u ka thënë Rama gazetarëve në Tiranë.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës tërheqjen e policisë speciale nga veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, si dhe të kryetarëve shqiptarë të komunave atje – instalimi i të cilëve ka rritur tensionet.
Këto kërkesa i ka përkrahur edhe Rama, i cili ka kërkuar reflektim nga Kurti.
Kurti nuk u është përgjigjur pozitivisht atyre dhe, për pasojë, Kosova është bërë cak i masave ndëshkuese nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Duke iu përgjigjur vendimit të Ramës, Kurti ka thënë se mosmbajtja e mbledhjes së përbashkët në Gjakovë është gabim nga i cili mbesin të panënshkruara 13 marrëveshje të reja me Shqipërinë.
Por, përkundër anulimit të mbledhjes, Kurti ka thënë se raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ndryshojnë.
Sejamini: Qëndrimi i Ramës, i dëmshëm
Njohësi i politikës në Shqipëri, Neritan Sejamini, e cilëson si të dëmshëm për Kosovën pozicionin që mban aktualisht Qeveria e Shqipërisë në raport me të.
Sejamini thotë se Rama, situatën në Kosovë e sheh vetëm nga interesat e ngushta politike dhe se nuk i shkon në mend t’i mbrojë interesat kombëtare të shqiptarëve.
“Përshtypja ime është se kryeministri Rama dhe Qeveria e Shqipërisë po u shërbejnë interesave të tyre të ngushta politike dhe jo interesave kombëtare, për mbrojtjen e të cilave kanë detyrim kushtetues”, thotë Sejamini për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, njohësi i politikës në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se, së pari, është e nevojshme të shtrohet pyetja se çfarë e ka çuar Shqipërinë deri te mendimi aq kritik për veprimet e institucioneve të Kosovës.
“Duhet ditur se bëhet fjalë për Shqipërinë në radhë të parë. Bëhet fjalë për një vend të NATO-s dhe bëhet fjalë për një masë që merret në kohën kur masa shumë më ekstreme po na vijnë prej të gjithë komunitetit transatlantik – pra edhe prej BE-së dhe SHBA-së”, thotë Maliqi.
Shtetet e Bashkuara kanë përjashtuar tashmë Kosovën nga një stërvitje e madhe ushtarake, ndërsa BE-ja ka njoftuar për anulimin e disa takimeve dhe vizitave të zyrtarëve kosovarë, si dhe ka tërhequr vëmendjen edhe për pasoja financiare.
Edhe pse mendon se është dashur të shmanget anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Maliqi thotë se qëndrimet e Ramës duhet parë më shumë si një lloj “paralajmërimi dhe distancimi i Shqipërisë nga politika e Kurtit”.
“Paralajmërim në kuptimin që Shqipëria ka më shumë informata, por edhe interes mbi zhvillimet rajonale, e që mund të jenë të dëmshme për Kosovën, dhe po mundohet ta përçojë një mesazh për Kosovën”, thotë Maliqi.
Ai shton se Shqipëria ka përgjegjësi edhe të sigurisë si vend anëtar i NATO-s.
“Shqipëria ka përgjegjësi të tjera që shkojnë përtej Kosovës si vendi kryesor i Ballkanit Perëndimor që është anëtar i NATO-s, dhe ka përgjegjësi të sigurisë që shkojnë përtej raporteve në mes të Shqipërisë dhe Kosovës”, thotë Maliqi.
Kërkesat e Ramës përfshijnë edhe Asociacionin
Rama ka kërkuar vazhdimisht nga Kosova që t’i dëgjojë kërkesat e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së sa i takon shtensionimit të situatës në veri.
Rama ka kërkuar edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke e cilësuar atë si obligim ndërkombëtar të Kosovës.
Për këtë të fundit, Rama ka dorëzuar, ditë më parë, një draft-statut te presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Ky veprim është kritikuar në Prishtinë.
Në Tiranë, po ashtu, Sejamini i sheh si të pakuptimta qëndrimet e Ramës.
“Qeveria e Shqipërisë duhet ta nxisë Qeverinë e Kosovës që ta menaxhojë gjendjen me qetësi dhe tolerancë, por, publikisht dhe botërisht, Qeveria e Shqipërisë duhet ta bëjë të qartë që në çdo rrethanë është me Kosovën”, thotë ai.
Kosova, edhe pse ka marrëveshje me Serbinë qysh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka refuzuar ta zbatojë atë, duke thënë se kompetencat e tij të gjera mund ta kërcënojë funksionalitetin e brendshëm të shtetit.
Komuniteti ndërkombëtar, në anën tjetër, këmbëngul që Kosova ta themelojë Asociacionin.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë javën e kaluar se Asociacioni do të formohet “me këtë ose me ndonjë qeveri të ardhshme” të Kosovës.
Çfarë pritej të ndodhte në Gjakovë?
Në mbledhjen që s’është mbajtur në Gjakovë, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, sipas agjendës zyrtare, është dashur të nënshkruajnë 13 marrëveshje.
Marrëveshjet do të përfshinin fusha të ndryshme: drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, kulturën, ndërmarrësinë dhe mbrojtjen.
Në mesin e marrëveshjeve ka qenë e paraparë edhe një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e sigurisë.
Kjo do të ishte mbledhja e nëntë mes dy qeverive.
Qeveria e Kosovës ka thënë më herët se nga 41 marrëveshje të nënshkruara në dy mbledhjet pararendëse, 39 prej tyre janë zbatuar plotësisht e dy tjera janë në fazën finale të zbatimit.