Qeveria më 2022 shpenzoi 1.4 milionë euro më shumë se sa arkëtoi

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Llogaritë Qeveritare të Kosovës për periudhën 2015-2022.

Ky publikim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.

Sipas ASK-së të hyarat e Qeverisë për vitin 2022 ishin 2 miliardë e 622 milionë e 400 mijë euro. “Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 71% të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura 15%; ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, thuhet në njoftim.

Ndërsa vlera e shpenzimeve ishte 2 miliardë e 623 milionë e 800 mijë euro. Raporton Koha.net

“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kontributet sociale dhe përfitimet (25%); kompensimi i punëtorëve (24%); subvencionet (15%); konsumi i ndërmjetëm (14%); ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, thuhet në njoftim.

Në këtë publikim janë përfshirë gjithashtu edhe të dhënat për të hyrat dhe shpenzimet e Qeverisë që nga viti 2015.

Ky publikim thuhet se është përgatitur në përputhje të plotë me Udhëzuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Statistikat e Financave Qeveritare (GFSM 2014) dhe sipas Sistemit të Llogarive Evropiane (ESA 2010).