Qeveria: Nesër do të fillojnë punën 15 hetues të rinj policorë për krime të luftës

Zyrtarët udhëheqës të Policisë së Kosovës sot kanë mbajtur një takim me kryeministrin Albin Kurti e me zyrtarë të tjerë udhëheqës, përfshirë edhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.Ky takim është mbajtur me qëllim që të diskutohet lidhur me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës, e cila u tha se sapo është themeluar dhe se në të kaluarën ka qenë në nivel sektori.Kjo Drejtori, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, deri më tani ka vepruar me 19 zyrtarë hetues, përderisa nga nesër do të fillojnë punën 15 hetues të rinj.

“Sipas strukturës së re organizative, drejtoria parashihet të ketë 41 zyrtarë hetues. Procesi i rekrutimit do të vijojë deri në plotësimin e totalit të zyrtarëve të planifikuar me strukturë, pra 41 sosh” – thuhet në njoftim.Tutje në njoftim u tha se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk parashkruhen e as nuk vjetrohen asnjëherë dhe se kriminelët e luftës dhe urdhërdhënësit e tyre duhet nxjerrë para drejtësisë.
“Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë” – citohet të ketë thënë kryeministri Kurti.Po ashtu në njoftim është thënë se duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet dhunës seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, kryeministri theksoi se duhet shtuar angazhimi i përbashkët në tejkalimin e pengesave drejt rritjes së numrit të dënimeve nga gjykatat në Kosovë.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e adoptimit të Deklaratës pёr personat e zhdukur, me të cilën pas mohimit 24-vjeçar, Serbia, sipas njoftimit, pranon krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës nё Kosovë.KALLXO.com ka raportuar lidhur me 19 zyrtarët policorë që kanë grada të ndryshme e që trajtojnë dhe hetojnë rastet e krimeve të luftës në Kosovë.Raportimet tregojnë se 6 nga këta zyrtarë janë me shkollë te mesme, 2 me Fakultet Ekonomik, 2 me Fakultet Filozofik dhe 9 me Fakultet Juridik./Kallxo.com