Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka bërë të ditur se i ka propozuar presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, një draft statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka uruar që ky material të vlerë për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët që të flasin për gjëra konkrete, njofton Klan Kosova.
“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charles Michelin dhe palën amerikane. Është një draft punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh”, ka thënë Rama.
Tutje, Rama ka thënë se rasti në fjalë është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë.
“Kjo ditë kur palët dhe në këtë rast, për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë. Palët nuk po merren dot vesh se as kush duhet ta shkruajë këtë tekst, e jo më se çfarë do të ketë teksti”.
Sipas tij, me këtë dokument konfidencial nuk pretendohet të jetë gjetur zgjidhja ideale, por është një dokument i nivelit më të lartë që merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Uroj që ky material do të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët që të flasin për gjëra konkrete”, ka deklaruar Rama.