Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka konfirmuar anulimin e mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila ishte paraparë që të mbahej nesër në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Rama ka pasur një polemikë me një prej gazetarëve, i cili e pyeti lidhur me lëkundjen e bashkëpunimit me ndërkombëtarët, qoftë edhe për Kosovën.
Gazetari i KlanNews pyeti Ramën se a është i gatshëm të sakrifikojë marrëdhëniet me Kosovën, për të ruajtur ekuilibrat me ndërkombëtarët.
“Nuk po merremi vesh fare, fare, fare. Në çfarë rreziku është Kosova meqë po… më fal, kush po e rrezikon Kosovën. Se ndoshta nuk po e kuptoj unë. Mund të më jepni një informacion, se cilët janë ndërkombëtarët që po rrezikojnë Kosovën? Meqë ju thatë se këtu u dashka bërë një zgjedhje, o me ndërkombëtarët o me Kosovën. Duhet të më jepni një informacion kush po e rrezikon Kosovën dhe çfarë, nga se po kërcënohet Kosova tani po flas. Ma jepni dot këtë informacion? Më jepni dot një element të këtij absurdi? Mbase janë çmendur të gjithë. Mbase janë çmendur Shtetet e Bashkuara, mbase janë çmendur Bashkimi Evropian. Bashkë me ta patjetër dhe unë se siç edhe e di më mirë nga të gjithë: “Syri që nuk shikon, i çmendur jam”. Kush po e sulmon Kosovën ose kush ka një plan për ta futur Kosovën në një situatë për jetë a vdekje?”, tha Rama në përgjigjen e tij. /GazetaSinjali