Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dy ditë më parë, prezantoi idenë e një shteti bektashi brenda territorit shqiptar, sipas një modeli të ngjashëm me atë të Vatikanit në Itali.
Rama ka reaguar në lidhje me reagimet dhe zërat kundër idesë së krijimit të një shteti Bektashi në Shqipëri, pasi kjo ide nuk u mirëprit edhe aq mirë.
Në një postim të gjatë në X, kreu i qeverisë shqiptare thotë e ka ardhur koha që kjo ide të vihet në jetë, pasi sipas tij është në harmoni të plotë me interesin kombëtar.
Ai i fton kundërshtarët e kësaj ideje që të njihen me faktet dhe kontributet historike të Urdhrit Bektashi në punët e kombit e të fesë në Shqipëri.
Më tej kryeministri thekson se “ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë”. /Telegrafi/