Rangnick: Nagelsmann është shumë detajist

Bayern Munich është duke kaluar një periudhë krize, ku në katër ndeshje radhazi nuk ka siguruar asnjë fitore, por vetëm 3 barazime dhe humbjen ndaj Augsburg, situatë e cila nuk kishte ndodhur te kampionët në fuqi të Gjermanisë që nga sezoni 2001-2002, pra rreth 21 vite më parë.

Këtë situatë më shumë se kushdo tjetër është duke e vuajtur trajneri Julian Nagelsmann, i cili po “kryqëzohet” për rezultatet e ekipit.

Së fundmi, Ralf Rangnick, trajneri aktual i Austrisë, foli për “Sport Bild” për problemet e Bayern Munich, duke thënë se është i bindur se Julian Nagelsmann do të jetë në gjendje ta ringrejë skuadrën.

“Ai e tregoi vitin e kaluar dhe në fillim të sezonit aktual se ai mund ta drejtojë ekipin dhe të bëjë një lojë të mirë. Pas largimit të Lewandowskit duhet pak kohë. Ata krijuan kaq shumë raste për të fituar të katërat ndeshjet e tyre të fundit.”-tha ai.

Ish-trajneri i Manchester United shtoi ndër të tjera se Nagelsmann është një person që punon shumë dhe sipas Rangnick këtë e shfaq në çdo detaj të lojës.

“Julian është një person që punon me shumë përpikëri dhe i kushton shumë vëmendje detajeve. Ai do ta bëjë edhe më shumë këtë gjë tani. Është një situatë krejtësisht e re për të, ai ka presion në Mynih.

Si trajner, duhet të përpiqesh të zhvillosh një lidhje personale me secilin lojtar. Jam i sigurt se ai do të jetë në gjendje të fitojë dy trofetë kombëtarë dhe të synojë për Champions Leaguen.”-u shpreh gjermani.