Reagime për dhe kundër pas miratimit të rezolutës për Srebrenicën

Politikanët boshnjakë dhe shoqatat e familjarëve të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë kanë mirëpritur miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Por, presidenti i entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, e cilësoi të “dështuar” këtë rezolutë”.

Rezoluta, që u miratua me 84 vota për, 19 kundër dhe 68 abstenime, shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Ndër të tjera, rezoluta bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.

Si votuan vendet e tjera?

Përveç Serbisë, vendet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia – votuan për.

Nga vendet e Bashkimit Evropian, Hungaria ishte kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia dhe Qiproja abstenuan.

Kina, Rusia, Bjellorusia, Kuba dhe Nikaragua ishin në mesin e atyre që votuan kundër.

Në një postim në platformën X, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë tha se “rezoluta nuk shënjestron asnjë shtet anëtar” dhe “nuk ngarkon me përgjegjësi kolektive asnjë grup njerëzish”.

“Siç e bën të qartë rezoluta, ne të gjithë e kemi detyrim t’i pranojmë faktet, ta mësojmë të vërtetën, t’i nderojmë viktimat, t’i mbështesim përpjekjet e vazhdueshme për t’i gjetur dhe identifikuar viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët. Këta hapa janë thelbësorë për pajtimin”, shkroi Ambasada amerikane. /Radio Evropa e Lirë/Spektri