Rënia e shitjeve të makinave në Evropë, tregu në krizë për vitin 2025

Numri i makinave të regjistruara në Europë ka pësuar një rënie të konsiderueshme gjatë dy muajve të parë të vitit 2025, me një ulje prej 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tregjet kryesore, si Gjermania, Italia dhe Franca, kanë regjistruar rënie të shitjeve, ndërkohë që Spanja ka përjetuar një rritje prej 8%.

Sipas raportit të Shoqatës Europiane të Prodhuesve të Automjeteve, gjatë muajve janar-shkurt u regjistruan 1.68 milion makina private, krahasuar me 1.74 milion të regjistruara në 2024. Ky trend rënës është reflektuar gjithashtu në fabrikat e prodhimit, ku grupet e mëdha si Volkswagen, Stellantis, Mercedes Benz, Toyota dhe Tesla kanë prodhuar më pak njësi se vitin e kaluar.

Ndikimi i konkurencës dhe kalimi drejt makinave elektrike ka pasur një ndikim të ndjeshëm në linjat e prodhimit, me makinat me naftë dhe benzinë që po zënë gjithnjë e më pak hapësirë në rrugët e Europës.

Në Shqipëri, ende nuk ka të dhëna nga Drejtoria e Transporteve për importin e mjeteve për vitin 2025, por duke u bazuar në ecurinë e vitit të kaluar, pritet që të regjistrohen rreth 8,000 makina çdo muaj, me dominim të automjeteve që përdorin lëndë djegëse.