Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Enkel Rexhepi pas arsyetimit të qeverisë dhe institucionet e Serbisë ka reaguar duke theksuar se rikthimi i programit për Policinë Multietnike ështv i vetmi variant.
“Në të gjitha kontaktet që kam pasur këto ditë me faktorë vendorë dhe ndërkombëtarë, kam theksuar qartë se rikthimi i Programit për Policinë Multietnike është e vetmja zgjidhje reale e duhet të jetë me mbështetje të planifikimit të një programi afatgjatë”.
Spas tij përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në polici dhe në çdo institucion publik është obligim kushtetues i shtetit.
Ky është postimi i plotë i Rexhepit në faqen e tij në facebook:
“Ditëve të fundit, pas raportimit nga Këshilli Kombëtar Shqiptar rreth mosangazhimit të shqiptarëve në polici, si dëshmi e radhës e diskriminimit, qeveria dhe institucionet e saj kanë tentuar ta arsyetojnë këtë situatë me justifikime të njohura: interesim i ulët i shqiptarëve, mungesë e kushteve të plotësuara, apo propagandë që përsëri fajin mundohet ta hedh tek shqiptarët; për një dështim që është krejtësisht i institucioneve shtetërore.
Përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në polici dhe në çdo institucion publik është obligim kushtetues i shtetit. Ky angazhim nuk është vetëm normë ligjore, por një nga pikat kyçe të Marrëveshjes së Konçulit (2001), pjesë e bisedimeve për demilitarizimin e UÇPMB-së, e përfshirë në Planin e Çoviqit, dhe më vonë edhe në Marrëveshjen e Planit 7-Pikësh të vitit 2013.
Në të gjitha kontaktet që kam pasur këto ditë me faktorë vendorë dhe ndërkombëtarë, kam theksuar qartë se rikthimi i Programit për Policinë Multietnike është e vetmja zgjidhje reale e duhet të jetë me mbështetje të planifikimit të një programi afatgjatë.
Përjashtimi dhe mospërfshirja në polici për afro 15 vjet nuk zgjidhet me punësime simbolike të 1 apo 2 shqiptarëve në ndonjë konkurs të ardhshëm.
Prandaj, ajo që kërkojmë dhe duhet të ndodhë është një program serioz, që garanton përfaqësim proporcional sipas përbërjes etnike të regjistruar në vitin 2022, ku shqiptarët dolën me rreth 94% në Preshevë, rreth 62% në Bujanoc, dhe rreth 15% në Medvegjë!
Ne vazhdojmë të kërkojmë atë që shteti ka dështuar ta përmbushë për më shumë se 20 viteve: barazinë e plotë për shqiptarët, përmes integrimit të drejtë dhe zhvillimit të hovshëm ekonomik.
Dhe kjo duhet të fillojë me përfaqësimin e shqiptarëve në polici në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në një numër që pasqyron realisht strukturën etnike të këtij rajoni”.
Lista e koknursit të fundit të të pranuarve në Polici ka sjellur shumë reagime për shkak të mos pranimit të asnjë shqiptari në polici.