Rexhepi me takime të nivelit të lart në Tiranë

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, gjatë ditës së hënë ka zhvilluar disa takime me krerët shtetëror në Republikën e Shqipërisë.

Fillimisht Rexhepi ishte takuar me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasanin.

“Bashkë u dakorduam se është mëse e rëndësishme një qasje e vazhdueshme për bashkërendim në mes të institucioneve të Shqipërisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar për të adresuar të gjitha temat që preokupojnë Luginën e Preshevës”, ka shkruar në facebook Rexhepi, pas takimit me ministrin.

Pas takimit në Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Rexhepi u prit në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, ku u takua me Kryeparlamentarem Elisa Spiropali.

Spiropali, pas takimit me Rexhepin përmes një njoftimi në facebook u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë, përmes delegacioneve në Këshillin e Europës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, do të vijojë pa u ndalur angazhimin për mbrojtjen e të drejtave themelore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shërbimeve publike.

 

Kryetari i Këshillit Kombëtar vizitën në Tiranë e mbylli duke u takuar edhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Begaj rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Institucionit të Presidentit të Republikës për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar, kulturor dhe gjuhësor.
“Në këtë detyrë jam avokat i shqiptarëve dhe i Shqiptarisë, dhe i tillë do të mbetem edhe përtej këtij funksioni”, ka shkruar Presidenti i Republikës së Shqipërisë./Spektri