Rrëfimi i Kurtit, përplasja me opozitën e sharja e Shalës, krejt çka ndodhi dje në Kuvendin e Kosovës





Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së djeshme plenare ka raportuar para deputetëve të Kuvendit për takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtur më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, raporton Gazeta Sinjali.

Kurti filloi rrëfimin e tij lidhur me dialogun, duke thënë se tunelit të gjatë të dialogut, po i vie fundi.

Kurti ka thënë se që nga fillimi i mandatit të tij është zotuar që ta riformatojë dialogun, në një dialog të barabartë për të dyja vendet.

Ai ka thënë se që prej kur u prezantua plani franko-gjerman, dialogu ka hyrë në një fazë tjetër.

Sipas tij, për herë të parë që prej fillimit të dialogut, normalizimi i marrëdhënieve është me shkrim.

Ka shtuar se aleatët kanë vendosur kornizë me kushte strikte në mënyrë që të lihen prapa dallimet.

Ai ka thënë se nuk mund t’i shmangë detyrimet nga traktatet ndërkombëtare, por ka shtuar se tekst më të mirë të marrëveshjes nuk ka mundur të mbërrihet.

Ka deklaruar se është bërë e qartë se Kosova nuk do të rëndohet me kurrfarë shtrese tjetër të autoritetit dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Kryeministri Kurti ka thënë se në planin afatgjatë, Kosova do të përfitojë më shumë sesa Serbia me Marrëveshjen e Ohrit.

Kurti ka thënë se nëse duam të fokusohemi në integrimin evropian, duhet ta lëmë pas kapitullin e vështirë me Serbinë.

E për të arritur deri te marrëveshja finale, Kurti ka thënë se tash është rruga më e qartë.

Ai i ka pyetur deputetët nëse duan që këtë marrëveshje ta ratifikojnë në Kuvend.

Por kritika të ashpra, Kurti ka marrë nga liderët e partive opozitare, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së, të cilët e akuzuan për degradim të procesit të dialogut

Krasniqi tha se Kurti ka nënshkruar gjithçka që kishte thënë se s’do e pranonte, në vilën e Titos.

Ai para deputetëve u shpreh se kryeministri i vendit ka tradhtuar edhe votuesit e tij, të cilëve dikur iu thoshte që s’ka Asociacion.

Krasniqi ka thënë se Kurti është fajtor për degradimin e procesit të dialogut.

Sipas tij, me marrëveshjen e re komunitetit serb në Kosovë i ofrohet autonomi politike.

Replikë ndaj Kurtit pati edhe nga Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai tha se Marrëveshja e Ohrit është humbje e madhe dhe devijim nga qëllimi primar për njohje reciproke.

Abdixhiku referuar çështjes së Asociacionit, për të cilin Kurti e pranoi se qëndron brenda marrëveshjes, tha se ndjen keqardhje për fatin tragjik politik të Kurtit dhe humbjen që mori Republika e Kosovës.

Kryeministri Kurti, në përgjigjen e tij ndaj kritikave të kryetarit të PDK-së dhe atij të LDK-së, ka thënë se ata po i duken si aktivistë të dorëhequr të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, një gjë e tillë nuk u pëlqeu Krasniqit dhe Abdixhikut të cilën dhe reaguan.

Krasniqi i tha Kurtit se ai është kryeministër, e jo një ‘hajgarexhi’, ndërsa Abdixhiku i tha kryeministrit se “unë nuk kam barrën që kanë vdekë njerëz për kauzën time politike”.

E gjithë situata eksaloi në momentin kur Krasniqi përfundoi fjalën e tij dhe u largua nga foltorja për t’ia lënë radhën Abdixhikut.

Në një moment u dëgjua deputeti i LDK-së, Kujtim Shala duke share rëndë kryeministrin Kurti, gjë e cila fillimisht nuk u vu re as nga vetë Konjufca, por që pas pauzës, dhe rikthimit në Kuvend ai dha vërejtje deputetit të LDK-së.

“Phu t’q*fsha tradhtarin e nanës”, u dëgjua teksa shan Shala.

Por deputeti Shala, nuk e pa të arsyeshme të kërkojë falje, duke udhëzuar Kuvendin që vërejtjen t’ia dërgojnë me postë.