Një futbollist në Peru ka vdekur dhe shumë të tjerë kanë pësuar lëndime pasi u goditën nga rrufeja gjatë një ndeshjeje të dielën pasdite.
Jose Hugo de la Cruz Meza, 39 vjeç, kishte marrë pjesë në një përplasje lokale në zonën qendrore të Huancayo, midis Juventud Bellavista dhe Familia Chocca, vetëm pak çaste pasi gjyqtari kishte ndërprerë lojën për shkak të stuhisë.
Dy adoleshentë të moshës 14 dhe 16 vjeç dhe një 24-vjeçar, Cristian Cesar Pituy Cahuana, u dërguan gjithashtu në spital dhe thuhet se janë në një ‘gjendje të qëndrueshme’.
Rreth tetë lojtarë ranë përtokë teksa ra rrufeja, ndërsa ndeshja me rezultat 2-0 u ndërpre menjëherë pas tragjedisë.
Sipas AP, menaxheri i Mbrojtjes Civile në rajon, Cesar Ramos ka pohuar se De La Cruz Meza vdiq për shkak të byzylykut të metaltë që mbante.
“Ishte si një magnet”, ka thënë zyrtari peruan.
Homazhet e shpërndara në mediat sociale ofruan ngushëllime për familjen e lojtarit dhe klubin, duke kërkuar gjithashtu masa më të mëdha sigurie.
Stadiumi është vendosur në një zonë me lartësi të madhe mbidetare – 10,659 metra mbi nivelin e detit – ku goditjet fatale të rrufesë nuk janë një dukuri e çuditshme dhe një numër komentuesish kërkuan një rritje të numrit të rrufepritësve në terrenet e futbollit.
Inxhinieri që ndau pamjet e incidentit, Lucho Duarte theksoi nevojën për të ‘vendosur’ protokollet e sigurisë me pezullimin e aktiviteteve në rast stuhish si dhe zbatimin e një sistemi rrufepritës për të ofruar siguri më të madhe në ngjarjet në natyrë.