Rusia hedh raketa në të gjithë Ukrainën para festës së “Ditës së Fitores”

Rusia nisi valën e saj më të madhe të sulmeve me dron në Ukrainë të hënën, duke përshkallëzuar sulmet në prag të festës së saj të Ditës së Fitores më 9 maj.

Kryebashkiaku i Kievit tha se Rusia kishte gjuajtur 60 dronë kamikazë të prodhuar nga Irani në objektivat ukrainas, duke përfshirë 36 në kryeqytet, të cilët të gjithë ishin rrëzuar, megjithëse mbetjet e tyre goditën apartamente dhe ndërtesa të tjera, duke plagosur të paktën pesë persona në tokë.

Një magazinë ushqimore u dogj nga një raketë në qytetin Odesa të Detit të Zi, ku zyrtarët raportuan se tre persona u plagosën.

Kievi tha se Moska po bënte gjithashtu një shtytje të fundit për të marrë nën kontroll qytetin e rrënuar lindor të Bakhmutit, për t’i dhënëpPresidentit Vladimir Putin atë që do të ishte çmimi i tij i vetëm për një ofensivë të kushtueshme dimërore ruse, në kohë për Ditën e Fitores.

Moska po përgatitet për paradën e “Ditës së Fitores” të së martës, dita më e rëndësishme në kalendar për Rusinë nën drejtimin e Putinit, i cili përdor triumfin sovjetik të vitit 1945 mbi Gjermaninë naziste për të justifikuar pushtimin e tij në Ukrainë, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Në një ndarje të re me Moskën, Ukraina shënoi Ditën e Fitores të hënën, në vend të të martës, në përputhje me praktikën e aleatëve të saj perëndimorë. Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha se kishte nënshkruar një dekret për të ndryshuar zyrtarisht datën në të ardhmen. Dorëzimi i ushtrisë gjermane në vitin 1945 hyri në fuqi natën vonë më 8 maj në Berlin, kur ishte tashmë 9 maji në Moskë, data që u bë festë sovjetike.