Sa energji shpenzohet e sa do të shpenzohet më 2040 për vetura elektrike

Viteve të fundit, në gjithë botën, po u bëhet thirrje shoferëve të kalojnë në vetura elektrike, mirëpo ky tranzicion nuk është pa telashe dhe po shkon me ritëm të ngadalshëm.

Një nga pyetjet kryesore është nëse bota është gati të furnizohet me energji elektrike për më shumë vetura elektrike. Bloomberg bëri një analizë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.

Sipas të dhënave, aktualisht janë rreth 27 milionë vetura plug-in, hibride dhe plotësisht elektrike në botë. Konsumi i tyre vjetor i energjisë është 0.2 për qind e shpenzimit ditor në botë.

Është logjike që shifra është e ulët sepse ka rajone të mëdha në botë pa elektrifikim, ndaj analiza u fokusua në vende si Norvegjia, ku 20 për qind e flotës së veturave tashmë është elektrike. E në këtë vend, shpenzohet 1.4 për qind e energjisë për karikim të baterive.

Bloomberg pret një evolucion mjaft të shpejtë të sektorit gjatë dy dekadave të ardhshme. Deri në vitin 2040 parashikon që 75 për qind të veturave të jenë elektrike.

Me këtë skenar, në vitin 2040 do të ishin 730 milionë vetura elektrike, që do të nënkuptonte një rritje prej 7 për qind të kërkesës për energji. Në skenarin tjetër, shifra do të shkonte në një miliard dhe kërkesa për energji për të mbushur këto vetura deri në 9 për qind të konsumit të përgjithshëm. Duke qenë se jo vetëm veturat janë elektrike, por edhe kamionët, autobusët, motoçikletat, etj., atëherë, përqindjet do të ishin, në të dy rastet, mes 11 dhe 15 për qind.