Sherr për pronë në Gjilan, 59-vjeçari kërcënohet nga dy anëtarë të familjes Arifi: Krytë kemi me ta hekë

Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, të cilat shpesh edhe eskalojnë në kërcënime serioze. Kështu ka ndodhur edhe të dielën në fshatin Burincë të Gjilanit, ku janë kapur disa fqinj, njëri prej të cilëve ka përfunduar në ndalim policor, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se disa anëtarë të një familje janë kapur me një 59-vjeçar, si pasojë e një mosmarrëveshje për pronë. Sipas informacioneve të para, mes dy palëve fillimisht ka nisur një zënkë por që eskaloi në kanosje serioze nga njëri prej të dyshuarve.

Sinjali mëson se dy anëtarë të familjes Arifi po dyshohen se e ka kërcënuar viktimën se do ta pësojë keq, duke i thënë se “krytë kemi me ta hekë”, e më pas njëri prej tyre ka tentuar ta sulmojë me sëpatë, por ka ndërhyrë dikush dhe e ka ndaluar.

Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia, duke e denoncuar atë që ka ndodhur, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin. Ndaj të dyshuarit kryesor, me vendim të Prokurorit të Shtetit është caktuar masa e ndalimit policor për veprën penale “Kanosje”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Sinjali