Shkarkohet presidenti i Federatës së Futbollit në Brazil, ishte “sponzori” i Ancelottit

Tërmet në futbollin brazilian, pak orë pas javës së fundit të kampionatit. Ndërsa Palmeiras feston titullin dhe Santos vajton rënien nga kategoria për herë të parë në 111 vite histori si klub, Ednaldo Rodrigues është shkarkuar nga posti i presidentit të Federatës Braziliane të Futbollit (CBF).

Presidenti i përkohshëm midis viteve 2021 dhe 2022, Rodrigues u zgjodh përfundimisht në mars 2022, për një mandat katërvjeçar. Siç raporton “GloboEsporte”, Gjykata e Drejtësisë e Rio de Zhaneiros, megjithatë dha këtë vendim duke kundërshtuar parregullsitë në zgjedhjet e vitit 2022.

Rodrigues, “sponsori më i madh i Carlo Ancelottit”, mund të apelojë ende, por zgjedhjet e reja priten pas 30 ditësh. Në gusht 2021, nënkryetarët e CBF emëruan Ednaldo Rodrigues si president të përkohshëm, deri në fund të mandatit të të dorëhequrit Rogério Caboclo (i akuzuar për ngacmim seksual).

Në mars 2022, Rodrigues dhe Prokuroria e Rio de Zhaneiros nënshkruan një marrëveshje që vendosi rregulla të reja zgjedhore, e cila lejonte zgjedhjen e një kandidati të vetëm. Megjithatë, nënkryetarët e CBF e kundërshtuan këtë marrëveshje.

Sipas tyre, Rodrigues nuk mund ta kishte nënshkruar atë, sepse ishte president i përkohshëm dhe kishte përfituar prej saj për të fituar zgjedhjet. Prandaj, Gjykata e Drejtësisë vendosi në favor të tyre dhe kjo mund të ndikojë në zgjedhjen e trajnerit të ri të kombëtares së Brazilit.