Shkëmbim në aksin Mançester-Londër, United dhe Chelsea drejt marrëveshjes së përbashkët për dy sulmuesit

Alejandro Garnacho dhe Christopher Nkunku mund të jenë pjesë e një marrëveshjeje të bujshme këtë verë mes Manchester United dhe Chelsea, teksa të dy lojtarët pritet të largohen nga klubet e tyre përkatëse.

Sipas raportimeve të Telegraph, dy gjigandët anglezë po shqyrtojnë mundësinë e një marrëveshjeje që do t’i dërgonte sulmuesit në “drejtim të kundërt”, edhe pse nuk bëhet fjalë për një shkëmbim të drejtpërdrejtë, por për dy transferime të ndara.

20-vjeçari Garnacho ka pasur një sezon me luhatje dhe tensione te Manchester United, sidomos pas përplasjes me trajnerin Ruben Amorim drejt fundit të sezonit. Ai ishte i pakënaqur për mungesën në finalen e Europa League dhe përjashtimin nga ndeshja e fundit në Premier League. Pas sezonit, argjentinasi u përfshi në një përplasje me një tifoz gjatë turneut aziatik dhe së fundmi shkaktoi debat duke pozuar me një fanellë të Aston Villas me emrin “Rashford 9”.

Pavarësisht gjithçkaje, Garnacho thuhet se preferon të qëndrojë në Premier League dhe është kthyer në një objektiv të Chelsea-t, që kërkon të forcojë krahët e sulmit. “Blutë” janë gjithashtu afër transferimit të Jamie Gittens nga Borussia Dortmund për 42 milionë funte dhe kanë në shënjestër edhe Malick Fofana të Lyon-it.

United vlerëson Garnachon rreth 70 milionë funte, por shifra mund të ulet në rast marrëveshjeje të përbashkët. Meqë ai është produkt i akademisë, çdo shitje do të përfaqësonte fitim të pastër për klubin sipas rregullave të Premier League.

Nga ana tjetër, Christopher Nkunku nuk ka arritur të tregojë veten te Chelsea që prej transferimit prej 52 milionë funtesh nga RB Leipzig dy vite më parë. Ai e mbylli sezonin 2024/25 me vetëm nëntë paraqitje si titullar në Premier League.

Manchester United po shikon me interes lojtarin francez dhe një nga faktorët që e lehtëson marrëveshjen është fakti se drejtori i rekrutimit i United, Christopher Vivell, ishte te Chelsea në kohën kur u nënshkrua me Nkunku-n.

Paralelisht, United është në ndjekje të sulmuesit të Brentford, Bryan Mbeumo, për të cilin ka bërë një ofertë të dytë mbi 60 milionë funte. Sulmuesi ka shënuar 20 gola në sezonin e fundit dhe shihet si një përforcim kyç për repartin ofensiv të “Djajve të Kuq”.

Përveç Chelsea-t, për Garnachon kanë shfaqur interes edhe Aston Villa dhe Napoli, ndërsa merkaton e verës pritet ta karakterizojnë lëvizje të mëdha në kampin e dy prej klubeve më të mëdha në Angli.