Të paktën 16 persona kanë mbetur të lënduar – shtatë prej të cilëve janë në gjendje kritike – si pasojë e një shpërthimi të ndodhur të mërkurën në Paris, raportoi “Daily Mail”.
Ky shpërthim ka rezultuar me djegien e disa ndërtesave në qendër të qytetit, përkatësisht mbi monumentin Pantheon, ka bërë të ditur policia.
Sipas një zyrtari policor, fasada e një ndërtese ka rënë në rrugë si pasojë e shpërthimit, teksa zjarrfikësit dhe pjesëtarët e policisë kanë dalë në vendngjarje.
Zëdhënësja e policisë së Parisit, Loubna Atta, ka thënë se është shumë herët për të përcaktuar burimin e zjarrit dhe nuk mund të konfirmohen raportet se është shkaktuar nga një shpërthim gazi.
Qytetarët janë paralajmëruar që ta shmangin zonën sepse rreziku ende nuk ka kaluar.
Sipas mediave lokale, dëshmitarët kanë treguar se një shpërthim i madh i ka paraprirë zjarrit dhe se një pjesë e një ndërtese është shembur.