Silvinjo & Asllani: Ndeshje e vështirë, por ne jemi këtu vetëm për fitore

Kombëtarja shqiptare do të luajë nesër ndeshjen e radhës ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026. Kuqezinjtë mbërritën dje në Riga dhe sot do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore përpara takimit të së martës.

Sakaq, këtë pasdite, trajneri Silvinjo dhe mesfushori Kristjan Asllani dolën në konferencën zyrtare për media nga stadiumi ku do të luhet kjo ndeshje dhe iu përgjigjën interesit të gazetarëve.

Kristjan Asllani e cilësoi shumë të rëndësishme ndeshjen e së nesërmes ndaj Letonisë dhe theksoi se synimi janë tre pikët për objektiv Botëror.

Përgatitjet për ndeshjen me Letoninë? – Duhet rikarikuar bateritë, sepse vijmë nga një ndeshje shumë pozitive nga aspekti i lojës. Kemi luajtur shumë mirë, na ka munguar vetëm goli. Tani e dimë që kemi një ndeshje të vështirë, por na duhen tre pikët për objektivat dhe ëndrrën tonë.

Si je përgatitur për ndeshjen e nesërme? – Që kur ka ardhur trajneri, mendoj se i kam luajtur të gjitha ndeshjet. Duhet të mendojmë për skuadrën, nesër kemi një ndeshje të vështirë. Kanë një trajner italian, i njoh italianët si punojnë. Do jetë një ndeshje taktike, sepse punojnë me anën taktike. Një ndeshje ku ata do të mbrohen shumë mirë. Nuk mendoj për Kristjan Asllanin, por për skuadrën. Kemi ardhur këtu vetëm për të fituar këtë ndeshje.

Dmitrijs Zelenkovs i Empolit, çfarë kujtimi keni me të? – Dmitrijs Zelenkovs e mbaj mend shumë mirë, sepse kemi kaluar dy vite bashkë te Empoli. Është futbollist shumë i mirë teknikisht dhe nesër do të shihemi pas 3-4 viteve. Jam i lumtur që do ta shoh prapë. Besoj do të ndërrojmë bluzat, do t’ia kërkoj unë. Shpresoj që të fitojmë.

Trajneri Silvinjo vlerësoi ekipin e Letonisë dhe e cilësoi një ndeshje shumë të rëndësishme. Tekniku kuqezi komentoi edhe mungesën e Gjimshitit dhe zgjidhjet e mundshme në formacion për ndeshjen ndaj Letonisë.

Si është gjendja e sulmit dhe Manajt? – Ndeshja e dytë është gjithmonë pak më e vështirë, në aspektin e rikuperimit por edhe të menaxhimit të skuadrës. Është e vështirë dhe këtë nuk e them vetëm unë si trajner i ekipit të Shqipërisë, po e thonë shumë trajnerë të tjerë të ekipeve kombëtare. Nuk kemi vendosur asgjë lidhur me formacionin, do të kemi pak më vonë një seancë stërvitore të lehtë. Nesër në mëngjes mund të kemi një ide më të qartë për formacionin. Kemi një lloj avantazhi në ekip pasi kemi 22-23 lojtarë, nga të cilët mund të zgjedhim pozicione të ndryshme. Mbrojtës të majtë, të djathtë, mesfushorë shumë cilësorë, sulmues. Kemi hapësira për të zgjedhur lojtarë të ndryshëm dhe përmend disa prej tyre: Muçi, Uzuni, Pajaziti, Ramadani, Broja, Asani, Daku etj. Kemi mundësi të zgjedhim nga të gjithë këta lojtarë dhe do të vendosim nesër, pasi të kemi mbyllur çdo lloj përgatitje. Sa i përket Manajt, është një lojtar që ka eksperiencë. Është titullar me ekipin tonë, e njoh që prej vitit 2014 tek Interi. Është një djalë me shumë personalitet, por e kam folur edhe me të. Përgjegjësia është e imja. Pas përgatitjeve që bëjmë, ku shohim penalltitë që gjuajmë herë pas here nga lojtarët, jam unë ai që vendos se cili do të gjuajë penalltitë.

Si po menaxhohet presioni, duke qenë se ndeshja ndaj Letonisë është vendimtare? –Ndeshja ka presion. Kur punon në Kombëtare, akoma më shumë. Kemi zhvilluar 3 ndeshje, janë edhe 5 të tjera për të mbyllur grupin. Futbolli është i tillë që nuk të jep shumë kohë. Duhet të mbledhim sa më shumë pikë të jetë e mundur. Letonia ka mundur Andorrën. Për ta dhe për ne është ndeshje shumë e rëndësishme. Duke krahasuar skuadrën sot me dy vite më parë, është me më shumë eksperiencë në aspektin e menaxhimit të emocioneve dhe presionit.

Letonia? – Është një ekip fizik. Ka lojtarë të fortë dhe të gjatë, që japin centimetra në fushë. Mund të luajnë me skema të ndryshme: 3-5-2, 3-4-3. Në një lloj mënyre, është një ekip që luan një lloj futbolli të kodifikuar. Ka një trajner italian, kanë një metodë të tyre specifike se si e organizojnë ekipin në fushë. Ka dy – tre lojtarë të cilët janë të shpejtë dhe të majtë, që mund të jenë funksionalë për ekipin. Është një ndeshje e vështirë, por shumë e rëndësishme.

A keni konsideruar ta aktivizoni Mario Mitaj në mesfushë? – Është një lojtar shumë teknik. I jep ekuilibër skuadrës. Por rrugëtimi i një lojtari në kombëtare është i tillë që nuk ke kohë t’i provosh lojtarët në pozicione të ndryshme. Ai e bën shumë mirë rolin e mbrojtëit të majtë. Është një mbrojtës i majtë. I jep skuadrës ekuilibër, bën shumë mirë si te ne, ashtu edhe te klubi ku luan. Do të vazhdojë kështu për momentin.

A do të jetë pjesë e 23-shes Adrian Bajrami nesër? – Është një lojtar që ka qenë me ekipet e moshave me ne. Luan me këmbën e majtë, ka forcë fizike si lojtar. Edhe tek ekipi i tij te Benfica po angazhohet edhe më shumë. Në të ardhmen është një opsion shumë i mirë. Do të jetë nesër në 23-shen e lojtarëve të përzgjedhur për ndeshjen.

Cili do të mbajë shiritin e kapitenit nesër? – Varet, kemi 2-3 emra. Do të shohim. Siç e thashë edhe më sipër, ndeshja e dytë është e vështirë sepse nuk ka kohë. Nëse do të kishim më shumë kohë, do ta kishim më të qartë zgjedhjen. Por do të shohim pas stërvitjes sonte.