Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani sot është takuar me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me të cilin ka biseduar për realizimin e projekteve në fushën e Kuturës dhe Sportit.
Kështu ka shkruar ajo në një postim në faqen e saj në facebook sot.
Ky është postimi i kryetares Sinani:
“Sot takuam Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, mikun tonë të çmuar z. Hajrulla Çeku. Pa dyshim ishte një takim i mbushur me bashkëpunim, vizion dhe përkushtim të ndërsjellë.
Me ministrin Çeku diskutuam dhe u koordinuam për realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e Kulturës, Trashëgimisë Kulturore dhe Sportit – fushë këto kyçe për identitetin dhe shpirtin një kombi. Projektet që do të konkretizohen do të jenë jo vetëm krenari e Qeverisë së Kosovës, por edhe e Komunës së Preshevës, sepse janë vepra që i përkasin gjithë shqiptarëve, kudo që janë.
Faleminderit Ministrit Çeku për vëmendjen e vazhdueshme dhe gatishmërinë për të mbështetur komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës, sepse përtej kufijve politikë, na bashkon një gjuhë, një histori dhe një dashuri e madhe për kulturën tonë të përbashkët.
Shteti i Serbisë nuk lejoi disa herë ardhjen e ministrit në Luginën e Preshevës, por pavarësisht pengesës fizike, lidhjet mes nesh janë edhe shpirtërore edhe më të thella tashmë edhe përmes veprave konkrete.
Bashkë do t’i japim zë dhe jetë trashëgimisë sonë dhe do të ndërtojmë ura të qëndrueshme për të rinjtë tanë në sport dhe kulturë”.
Ajo ka theksuar se do të vazhdoj që të përkrah të rinjët e Preshevës me projekte të tilla.