Sonte Rita Ora e pushton skenën e festivalit “Eurovision”

Njohësit e muzikës po parashikojnë që gara e sivjetme për këngën më të mirë, “Eurovision”, do të jetë një ngjarje e madhe dhe argëtuese, me yllin botëror të muzikës pop, Rita ora, që i bashkohet spektaklit.

E freskën pas rikthimit nga New Yorku ku së bashku me bashkëshortin, Taika Waititi, e ndoqën ngjarjen prestigjioze të modës “Met Gala”, këngëtarja me prejardhje kosovare do të jetë në mesin e artistëve që performojnë si mysafir special në gjysmëfinalen e parë, e cila mbahet sonte në Liverpool.

Në skenë ajo do ta interpretojë këngën e lansuar së fundmi, “Praising You”, dhe tashmë janë publikuar fotografitë e parë nga provat gjenerale të performancës. Rita shfaqet e veshur me një korse dhe pantallona të shkurtra të zeza, të kombinuara me dorashka deri në bërryl, gete dhe çizme të zeza. Këngëtarja 32-vjeçare po ashtu shoqërohet në skenë me disa valltarë.

Kujtojmë se para 13-vjetëve, Ora kishte refuzuar mundësinë për ta përfaqësuar Britaninë e Madhe në “Eurovision”. Pas audicionit për ta përfaqësuar kombin, ajo u përzgjodh për garën evropiane të këngës por pak kohë pas këtij triumfi, vendosi të tërhiqej nga gara.

Në atë kohë, ajo deklaroi: “E bëra sepse mendova se ishte një mundësi për të kënduar, por më pas ndjeva brenda vetes se nuk ishte mundësia e duhur për mua”.

Përveç Rita Orës, në skenën e “Eurovision 2023” do të performojë edhe ylli i shout “The X Factor”, Rebecca Ferguson dhe këngëtarja ukrainase, Alyosha, e cila e kishte përfaqësuar shtetin e saj në “Eurovision” në vitin 2010./Koha.net