Deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet paralamentare të 9 shkurtit do të mblidhen sërish nesër në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 19-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë. Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të nisë në orën 11:00.
Të hënën dështoi përpjekja e 18-të. Kryesuesi Avni Dehari ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, përkatësisht PDK-në, LDK-në, Listën serbe dhe AAK-Nismën Socialdemokrate, që ta bëjnë këtë. Por, të njëjtat nuk paraqitën propozime.
Tutje, përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.
Prej 53 deputetëve që morën pjesë në votim, 52 votuan për dhe një kundër, ndërsa abstenime nuk pati. Kryesuesi Dehari konstatoi se nuk ka kuorum dhe për rrjedhojë seanca ndërpritet.
Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë.
Kurse, kryeministri në detyrë që është kryetari i LVV-së, Albin Kurti në një intervistë për RTK-në ka thënë se se besuan që konstituimi i legjislativit do të bëhej shpejt, derisa për emrin e Albulena Haxhiut, e cila nuk ka arritur t’i marrë deri tash votat e nevojshme për t’u ngjitur në krye të Kuvendit, ka theksuar se është propozimi i duhur.
“Ne kemi besuar që do ta kemi konstituimin e kuvendit shumë të shpejt. Kemi propozuar Albulena Haxhiun që është gruaja më e votuar si deputete në legjislaturën e nëntë. Besoj që është propozimi i duhur, përveçse ne jemi të obliguar që ta kemi propozimin si parti fituese. 57 deputetë ishin për Albulena Haxhiun, nevojiteshin 61, në mesin e tyre nuk janë vetëm të koalicionit LVV- Alternativa e Guxo por edhe deputetë të pakicave. Nuk arritëm t’i kemi 61, provuam disa herë”, ka thënë Kurti, derisa një për një foli se si dështoi fillimisht formimi për komisionin për verifikimin e mandateve, e që sipas tij më vonë ata që e kundërshtuan e kuptuan se e kishin gabim.
Kurti ka përmendur ftesat që u bëri PDK-së e LDK-së në tentim për të dal nga ngërçi, që sipas tij, takimi trelateral përfundoi me bilateral dhe pa sukses.
Ai ka thënë se zgjidhja nuk është t’i imponohen propozimet njëri-tjetrit.
“Unë besoj që zgjidhja e duhur përpara është që të mos ia imponojmë propozimet njëri- tjetrit, por zgjedhja e kryetarit e nënkryetarëve të shkojë bashkë në paketë e të fillojë numërimi te poshtë për formimin e qeverisë, sepse tash po shkon numërimi përpjetë”, ka thënë Kurti.
Tregoi se LDK-ja e cila nuk iu përgjigj takimit i kishte thënë se nuk ishte vendi e koha për marrëveshje për procedurë, por se duhej marrëveshje politike, prandaj i ofroi koalicion qeveritar LDK-së, gjë që sipas tij, u refuzua ashpër.
“Nesër nuk është në pyetje Albulena që është propozimi ynë, por është në pyetje pikërisht komisioni për votim të fshehtë. Nëse opozita janë të sigurt që Albulena nuk fiton përsëri le ta provojnë me votim të fshehtë. Porsa të konstituohet Kuvendi, si kryetar i partisë që ka fituar zgjedhjet, do t’i kem 61 vota minimum për qeverinë e re, por paraprakisht na duhet një kuvend i ri”, ka thënë ai.