Sot shënohet Dita e Alfabetit Shqip

Sot, më 22 Nëntor, festohet Dita e Alfabetit Shqip, një nga ngjarjet më të rëndësishme historike dhe kulturore për kombin shqiptar, e cila shënon 116-vjetorin e unifikimit të alfabetit tonë në Kongresin e Manastirit.

Kongresi i Manastirit, i zhvilluar mes datave 14-22 nëntor 1908, mblodhi 50 delegatë nga 26 qytete, klube dhe shoqata të ndryshme të trojeve shqiptare. Në këtë kongres historik, u vendos të pranohej alfabeti latin, i përshtatur me disa ndryshime për gjuhën shqipe, duke i dhënë fund përçarjes alfabetike që kishte ekzistuar deri atëherë. Ky vendim i rëndësishëm përbashkoi shqiptarët dhe u bë bazë për zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës, arsimit dhe kulturës kombëtare.

Në atë kohë, Manastiri ishte një qendër diplomatike dhe një vend më i sigurt për mbajtjen e këtij procesi madhor kombëtar. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi. Ndër pjesëmarrësit spikat edhe Parashqevi Qiriazi, e vetmja grua në kongres, e cila përfaqësonte me dinjitet angazhimin e grave shqiptare në çështjen kombëtare.

Kongresi i Manastirit konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të fillimit të shekullit XX për shqiptarët, duke vendosur themelet për unitetin gjuhësor dhe kombëtar. Kjo punë e palodhur u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Sot, shqiptarët e Maqedonisë e kremtojnë Ditën e Alfabetit si festë zyrtare dhe nuk punohet. Në qytetin e Manastirit funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ku ruhen 56 fotografi të delegatëve dhe 230 dokumente historike në format digjital dhe të shkruar. Ky muze është një kujtesë e përhershme për rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike dhe rolin e saj në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.