Met Gala 2025 u shndërrua në një nga mbrëmjet më të paharrueshme të modës, por këtë herë jo vetëm për veshjet ekstravagante. Diva e muzikës dhe ikonë e stilit, Rihanna, konfirmoi publikisht se është shtatzënë për herë të tretë, duke rrëmbyer vëmendjen e të gjithëve në tapetin e kuq.
E veshur me një krijim elegant të stilistit Marc Jacobs, që theksonte barkun e rrumbullakosur, Rihanna mbërriti e vonuar në event, siç është tashmë zakon për të, por me një arsye më se të veçantë. Fansat dhe mediat kishin spekuluar prej kohësh për një shtatzëni të mundshme, por ishte pikërisht para kamerave të Met Gala ku artistja konfirmoi lajmin.
“Po, është e vërtetë. Ky është një moment i veçantë për ne,” u shpreh Rihanna për gazetarët, duke shtuar se ndihej jashtëzakonisht e lumtur dhe e bekuar.
Partneri i saj, reperi A$AP Rocky, i cili këtë vit ishte një nga bashkë-organizatorët e Met Gala, nuk i fshehu emocionet. Në intervistat me mediat, ai tha: “Është koha të tregojmë çfarë kemi ‘gatuar’. Jam më i lumtur se kurrë.”
Rihanna dhe A$AP Rocky janë tashmë prindër të dy fëmijëve, dhe lajmi për shtatzëninë e tretë është pritur me entuziazëm nga fansat e çiftit, të cilët i kanë ndjekur me admirim në rrugëtimin e tyre familjar dhe profesional.