Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka falënderuar Parlamentin Evropian, për miratimin e Raportit për Kosovën, i cili sipas tij e vlerëson lart arritjen e “progresit demokratik të Kosovës.
Sveçla, tha se vlerësimet dhe sugjerime e raportit do të “shërbejnë si një udhëzues i vlefshëm për rritjen e mëtejme të demokracisë, sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe niveleve të larta të korrupsionit si dhe krijimin e një administrate të bazuar në meritokraci”.
Ministri Sveçla, u shpreh se i ndan shqetësimet me PE-në në lidhje me grupet kriminale në veri të Kosovës, në krye me Milan Radoiqic dhe Zvonko Veselinoviq.
“Ndajmë shqetësimet e përbashkëta lidhur me situatën sfiduese në pjesën veriore të Kosovës, ku raporti rithekson se bandat kriminale në krye me Milan Radoiqic dhe Zvonko Veselinovic, në lidhje të ngushta me Partinë Progresive të Serbisë, paraqesin kërcënim serioz për qytetarët. Ky fakt theksohet edhe në raportin e Serbisë, specifikisht për lidhjet e tyre me grupet kriminale që veprojnë në veri të vendit tonë”, ka thënë ai.
Ai tha se MPB-ja do të vazhdojë të angazhohet për luftimin e elementeve kriminale dhe ta garantoj sigurinë dhe mirëqenien për të gjithë qytetarët./Dukagjini